‘Alo presidente’ e Ramës, më demode se kriza e Maduros së Venezuelës

Spektakli që shfaqi dy ditë më parë Edi Rama me një zonjë që mezi priti ta puthte, për të mirat që i kishte sjellë asaj regjimi ‘rilindas’ ishte sa i pështirë, aq edhe i ububushëm, sa i përket shkeljes së çfarëdolloj etike në ushtrimin e qeverimit.

Motoja ‘më shkruani mua privatisht, se unë ua rregulloj hallet dhe u tregoj vendin zyrtarëve sarhoshë’ është sa e vjetër, aq edhe e paefektshme. Versioni i fletërrufeve kineze të viteve ’70 ka pësuar një mutacion në vitet ’90 prej Hugo Chavezit, i cili me emisionin e tij ‘Alo presidente’ kishte shpallur se do të zgjidhte të gjitha problemet që do të ngriheshin në emision.

Nisma progresivo-revolucionare u përshëndet edhe nga Fidel Castro disa vite më pas dhe ai vetë disa herë doli në emisionin me telefonata të Chavezit. Edhe pas vdekjes së tij, pasardhësi Nicolas Maduro u përpoq disa vjet ta trashëgonte emisionin, por së fundmi ka hequr dorë, pasi ka kuptuar se kriza e Venezuelës nuk kalohet duke I marrë presidenti në dorë të gjitha.

Sot Venezuela po përballet me një eksod masiv dhe është i vetmi vend I Amerikës Latine, e cila s’ka një statistikë të qartë se sa venezuealanë e lënë vendin, por mjaftohen me konfirmimin se ‘vendi po braktiset masivisht’.

E çuditshmja është se edhe Shqipëria përballet me të njëjtin fenomen të braktisjes dhe shifrat edhe këtu mungojnë, por qëkur kryeministri ka hedhur në rrjet versionin e tij të ‘Alo presidente’, nën siglën “Shqipëria që duam”, ikjet nga vendi cilësohen si e drejtë e lëvizjes dhe si arritje e demokracisë ‘rilindase’.

Të paktën Maduro duket se e lexon më mirë realitetin, pasi Edi Rama jo vetëm këmbëngul që thuajse përditë të ketë një shfaqje televizive mbi efektivitetin e emisionit të tij ‘Alo presidente- Shqipëria që (s)duam’, por si Merhumi qëmoti apo si Fidel Castro pas 90-s, ka shpallur dëshirën për të eksportuar revolucionin e tij.

Fqinjë kanë shprehur interes për të vënë në zbatim platformën tonë, ka deklaruar Edi Rama, me një seriozitet që hedh barkas edhe derrat. Imagjinoni, do të rriten eksportet shqiptare, sepse kryeministri do të eksportojë përvojën e tij në platformën online, numrin e puthjeve nga zonjat në moshë dhe uratën e të rinjve që mbijetojnë edhe pse pa punë.

Edi Rama në versionin ‘Chavez 2.0’ është njëqind herë më demode se diktatori i ndjerë i Venezuelës, është versioni i një stakhanovisti që kërkon t’i rritet norma e gënjeshtrës, pasi kështu e do interesi i partisë.

‘Rilindja’ nuk shpëtohet duke eksportuar rrënimin tonë në rajon, braktisjet e vendit flasin se e keqja jonë ende s’ka ardhur pasi kryeministri ynë ende s’ka mbërritur as në nivelin e Maduros së Venezuelës, i cili të paktën ka pranuar se kriza ka ardhur dhe ka hequr dorë nga ‘Alo presidente’-ja e tij.