Mbrojtësi i Kukësit tregon dëshirën e madhe që ka në Champions League

Albi Alla është kthyer përsëri protagonist te skuadra e Kukësit, duke luajtur në qendër të mbrojtjes e duke qenë një garanci më shumë për verilindorët në vijimin e aventurës europiane.

Mbrojtësi pranon se Kukësi i këtij viti nuk ka qenë i bukur, por efektiv dhe ka marrë atë që kërkohej prej tij, kualifikimin.

“Kalimi i turit është një gjë e mirë edhe për ekipin e Kukësit dhe për futbollin kuksian dhe shpresojmë të kemi një vazhdimësi të mirë. Ky është ekip i ri, besoj që dita-ditës po gjejmë veten. Me ardhjen e Cungut ekipi do të gjejë qetësinë dhe moralin që duhet. Por në këtë kompeticion rëndësi ka të marrësh kualifikimin se edhe vjet Kukësi luajti futboll të mirë, por nuk arriti të marrë kualifikimin. Besoj që e rëndësishmja është që thjesht të marrësh kualifikimin”, u shpreh ai në një prononcim për “SuperSport”.

Alla e sheh duelin me Qarabagun si një mundësi të mirë për të bërë hapin e radhës.

“Kjo është një ndeshje e fortë, do të shkojmë për fitore si në çdo ndeshje. Shpresojmë të kemi fatin me vete e të kalojmë. Do të shohim ndeshjet me radhë, qëllimi është gjithmonë për sukses por t’i marrim ndeshjet një nga një, të shohim pastaj se ku do të shkojmë. Shpresojmë të kemi sukses dhe të arrijmë grupet”, tregoi Alla dëshirën e tij të madhe.