Behu e përgjegjshme Vasilikë!?

21 korrik dy vjet më pas.

Vasilikë, t'u deshën kaq vite të kuptoje se Reforma juaj në Drejtësi po kolapson.

Tu deshën kaq vite që të arrish ‎në ato konkluzione që para dy vitesh t'i thamë e stërthamë ne, opozita, në Komisioni e Reformës në Drejtësi.

Sot ti Vasilikë na paske deklamuar: ‘duhet të jemi të përgjegjshëm’‎. Po Vasilikë, duhet te jesh e përgjegjshme ti dhe koleget e tu për Rrëmujën katastrofale në Drejtësi, që ti dhe kolegët e tu gatuat pa dëgjuar paralajmërimet dhe kritikat tona dhe hodhët poshtë me mendjelehtësi poetike propozimet tona sepse kishit mbështetje ekstranacionale.‎

A te kujtohet Vasilikë kur ti, Ulsiu etj, ishit gati të miratonit draftin e Kushtetutës të Fatmirit ‘me sy mbyllur’ siç propozoi Pandi? Kjo është papërgjegjshmëri lapidare Vasilikë!

Zoti i shpëtoftë shqiptarët prej papërgjegjshmërisë tuaj, se ty e kolegëve të tu jua fal Edi mekatët!

Vasilikë, nuk mund t'i kërkosh opozitës të jetë e përgjegjshme e të votojë që të kompletojë sistemin e kapjes politike të drejtësisë prej jush e të bëhet pale. Meqë nuk ju funksionoi mekanizmi i kapjes afatgjate tek Magjistratura, kërkoni që t'ju ndihmoje opozita?! A je e përgjegjshme për këtë kërkesë Vasilikë?!‎

I ke bërë thirrje studentëve që janë diplomuar jashtë të vijnë të t'ju ndihmojnë në këtë ‘mrekullinë e tetë’ tokësore që po ndodh në Shqipëri me Reformën në Drejtesi‎, kur edhe studentët që nuk janë diplomuar ende në Tirane e kanë kuptuar katastrofën e reformës tuaj.

Shtet anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE që pret hapje negociatash, që sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe asnjë institucion kushtetues drejtësie, vetëm Shqipëria është.

Kjo është pasoja e çorbës në Drejtësi që gatuat. Uroj që e ke të qartë që 50 studentët e Magjistraturës nuk t'i zgjidhin dështimet për KLGJ, KLP, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, gjykatën e posaçme antikorrupsion apo BKH qe nuk ngrihen dot pas dy vitesh.

Vasilikë, ke të drejtë, ti dhe kolegët e tu duhet të jeni të përgjegjshëm, se nuk jeni! Pyet Edin se ai e di shumë mirë qëllimin e të gjithë kësaj: kapja e drejtësisë qe ai te mos shkojë në burg.

Përveçse të përgjegjshëm, ju duhet të viheni para përgjegjësisë, sot dy vjet pasi vratë konsensusin e Reformës në Drejtësi.