Bllokimi i patentave të kosovarëve në Shqipëri, Gashi në Tiranë tek Xhafaj, ja ç'pritet

Shqipëria dhe Kosova kanë nëshkruar sot një protokoll bashkëpunimi midis tyre për sigurinë gjatë sezonit turistik, por një problem pezull, që ende nuk ka gjetur zgjidhje është ai i patentave të qytetarëve  Kosovës, që këtyre iu bllokohen në Shqipëri në raste shkeljesh.

Protokolli u nënshkrua në Tiranë, në Ministrinë e Brendshme, kur ministri Fatmir Xhafaj priti homologun e tij të Kosovës, Bejtush Gashin.  Protokolli ka qëllim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve për të forcuar bashkëpunimin midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta në fushën e kontrollit kufitar. Ai do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, ku punonjësi i Policisë shqiptare kryen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe punonjësi i Policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës. Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjelltë. Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, do të mbahet lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar.

Por, si do të veprohet me patentat e bllokuara të kosovarëve?

Sikurse e vuri në dukje vetë Xhafaj, "Ministri i Republikës së Kosovës trajtoi me shumë të drejtë një shqetësim që ka të bëjë lidhur me sigurinë rrugore të shtetasve kosovarë gjatë sezonit veror dhe posaçërisht lidhur me patentat, me mënyrën se si trajtohen rastet e menaxhimit të këtyre patentave kur krijohen probleme për shkak të mosrespektimit të rregullave. Duhet një procedurë e gjatë për t’i kthyer ose për t’ua ridhënë në përdorim patent-mbajtësve përmes një burokracie shumë të gjatë, që kemi aktualisht. Unë e mirëkuptoj Ministrin e Republikës së Kosovës në shqetësimin që trajtoi.  I bëra me dije faktin se është propozuar nga deputetët e Kuvendit, nga deputeti Ndreu, një amendim i Kodit Rrugor që do ta lehtësonte së tepërmi. Dhe ne shpresojmë se në seancën e fundit të Parlamentit, që është ditën e hënë, të mund të miratohet ky amendament, që do të ishte një kontribut shumë i çmuar në këtë aspekt dhe një lehtësi për të gjithë ata që përdorin rrugët kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Dhe gjithsesi, në çdo rast u angazhuam së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të marrë disa masa shtesë, jo vetëm për efekt të sigurisë, por edhe për të bërë lëvizjen më të lehtë dhe administrimin e të gjithë procedurave që e shoqërojnë atë me lehtësi shumë më të mira në funksion të sigurisë mbi të gjitha, por dhe në funksion të lëvizjes së lirë të shtetasve në të dy anët e kufirit," përfundoi ministri shqiptar.