Përralla nga e kaluara, garancitë e ndërkombëtarëve për Reformën në Drejtësi!

Nga Petrit Vasili.

Muaj me parë kam thënë që Reforma në Drejtësi ka vdekur. Reforma në Drejtësi si filozofi dhe si veprim konkret, ka vdekur, pasi kapja e drejtësisë nga Rilindja fitoi mbi drejtësinë e paanshme dhe të barabartë për të gjithë.

Reformën e vdekur, tashme Rilindja po e klonon pa u lodhur duke filluar që nga zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme, që u zgjodh kundër Kushtetutës me 69 vota, kur Komisioni i Venecias kishte sugjeruar që të mos përdoreshin as 84 votat, që mazhoranca kishte në atë kohë si dhe pa "Vetting";

që nga asgjesimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë për të legjitimuar pandëshkueshmërinë e qeverisë dhe për bllokuar mundësinë e ankimit për koncesionet, grabitjen e pronës publike etj; që nga bllokimi i qëllimshëm i ngritjes së KLGJ dhe KLP dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë;

që nga bllokimi i KED me sebepin e "Vetting"-ut, ndërkohë që kryeprokurorja e përkohshme u zgjodh pa "Vetting" dhe bëri ç'deshi për muaj të tërë, duke mbyllur gojën edhe për ekspertizën e audio-përgjimit të Agron Xhafajt, që demek e kishte bërë Kryeministri duke shpërdoruar detyrën e duke kryer një vepër të rëndë penale të fshehjes së fakteve;

që nga transformimi i Komisionit të Ligjeve në Inkuizitor injorant, që po djeg Reformën me votimet idiote të tij.

Ku është Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, që iu dha e drejta të propozonte projektligjet e Reformës? Komisioni i Ligjeve i merr propozimet e ekspertëve dhe i klonon paturpësisht duke i ndryshuar totalisht ato, vetëm me votat e Rilindjes!

Edhe projektligjin për Magjistraturën, Komisioni i Ligjeve e klonoi dhe votoi hajdutërisht vetëm me votat e Rilindjes, duke hequr afatet e ligjit me gjithë insistimin e fortë parimor të opozitës.

Rilindja, me britma histerike thoshte se "Reformën po e bëjnë ekspertët dhe ne nuk ndërhyjmë!", ndërsa sot draftet e ekspertëve të nivelit të lartë janë zëvendësuar nga klonimet e sharlatanëve të Komisionit të Ligjeve. Ndaj reforma ka vdekur!

Fryma dhe filozofia e 21 - 22 korrikut dhe e votimit të Shtatë Ligjeve, është shuar së bashku me ndërkombetarët, ambasadorë a misione qofshin, që i dolën asaj për Zot. Sot ka vetëm arna dhe klonime, që po riciklojnë fatalisht drejtësinë e vjetër.

Garancitë e ndërkombëtarëve për zbatimin korrekt të Reformës, janë tashmë thjesht një përrallë nga e kaluara. Motua e Rilindjes është: "Poshtë Reforma në Drejtësi dhe rroftë kapja!"