U pagua 80 mijë euro për t’i bërë atentat Lulzim Berishës, si ndodhi ngjarja dhe kush është kosovari që u ekstradua sot

Nga ana e Specialistëve të Interpol Tirana, sot u krye ekstradimi nga Kosova drejt vendit tonë, i shtetasit kosovar, Ahmet Ajeti, 35 vjeç, lindur në Lipjan/ Kosovë.

Ai është dënuara Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë,  me 20 vjet burg për tentativë vrasje, të Lulzim Berishës, pas një shume, prej 80  mijë eurosh, që ishte paguar.

Ahmet Ajeti, i njohur ndryshe edhe si Ahmet Taraku (Ajeti) është akuzuar dhe dënuar: për “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 30. 08. 2005, sipas nenit 78-25-22 të Kodit Penal; “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, sipas nenit 278/2 të Kodit Penal.

Rekrutimi i vrasësve

Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, në datën 28. 08. 2005, të gjykuarit Endrit Dokle dhe Dritan Coli, për realizimin e qëllimit të tyre kriminal, për vrasjen e Lulëzim Berishës, pas konflikteve që kishin lindur, midis anëtarëve, dikur të së njëjtës bandë, kanë kontaktuar dhe më pas kanë lidhur marrëveshje, me dy shtetas kosovar, me Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti. Rezulton se, këta persona, janë takuar në Tiranë dhe u janë treguar të dhëna për të gjykuarin Lulëzim Berisha dhe lëvizjet e tij dhe ata marrin përsipër që ta qëllojnë të gjykuarin Lulëzim Berisha, me armë zjarri, të llojit pistoletë.

Më pas të Korpuzi dhe Ajeti, të shoqëruar nga Sardian Sulejmani, janë dërguar në qytetin e Durrësit dhe janë sistemuar në hotelin e Asto Hanxhari. Rezulton se, pas sistemimit të tyre në këtë hotel, të gjykuarve  Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, u janë dhënë dy armë zjarri, tip pistoleta, me silenciator, njëra tip “Zastava” dhe tjetra tip “Uzi”, amerikan. Provohet, gjithashtu se, të gjykuarve Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, u është dhënë edhe një fotografi e të pandehurit Lulëzim Berisha.

Dështimi i vrasjes

Në datën 30. 08. 2005, rreth mesditës, të gjykuarit Osman Korpuzi e Ahmet Ajeti, të armatosur, janë nisur në drejtim të lokalit, ku, qëndronte zakonisht i gjykuari Lulëzim Berisha, me qëllim vrasjen e tij. Së bashku me ta, ka qenë edhe Sardian Sulejmani, i cili kishte për detyrë, të kujdesej për ta, derisa, të realizonin vrasjen e Lulëzim Berishës.

Por, në afërsi të lokalit të shtetasit Lulëzim Berisha, në rrethana jo shumë të qarta, Ahmet Ajeti, ka mbetur i plagosur. Rezulton se ai, ka qenë paksa, më i veçuar nga dy të tjerët dhe se, në një bar-bufe, ka bërë një sherr banal, është grindur dhe në përpjekje për të nxjerrë armën, e ka shkrepur, pa dashje atë, duke plagosur veten. Ai ka qëlluar edhe një herë në ajër.

Policia dhe vrasësit

Në ndihmë të tij, kanë shkuar Osman Korpuzi e Sardjan Sulejmani, të cilët, i kanë marrë pistoletën. Në vijim Sardjan Sulejmani, i ka marrë Osman Korpuzit, dy armët e zjarrit, pistoleta dhe është larguar, ndërsa i gjykuarit Osman Korpuzi, ka njoftuar policët e qarkullimit rrugorë, që po kalonin, rastësisht, në rrugë, me qëllim që t’i vinin në ndihmë shokut të tij Ahmet Ajeti, që vazhdonte të ishte i plagosur në hyrjen e një pallati.

Ahmet Ajeti, është shoqëruar për në spitalin rajonal Durrës dhe nga pyetja e tij, si dhe e Osman Korpuzit, nga ana e policisë gjyqësore, e cila, filloi menjëherë veprimet hetimore për ngjarjen, prej këtyre shtetasve, nuk është treguar qëllimi i vërtetë i ardhjen së tyre nga Kosova, duke u justifikuar me arsyen e pushimeve, në plazhin e Durrësit. Ndaj këtyre shtetasve kosovar, është ushtruar kontroll fizik, nga ana e policisë gjyqësore, prej nga ka rezultuar se, në portofol,  i është gjendur një fotografi e të gjykuarit Lulëzim Berisha e mbështjellë, e cila, së bashku me celularin, i janë sekuestruar.

 

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr. 1 datë 16. 01. 2012, ka vendosur:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Ahmet Ajeti, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 30.08.2005, të parashikuar nga neni 78-25-22 të Kodit Penal e në bazë të këtyre neneve, dënimin e tij me 20 (njëzet) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Ahmet Ajeti për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të parashikuar nga neni 278/2 të Kodit Penal, e në bazë të këtij neni dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Përfundimisht, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit Ahmet Ajeti me 20 (njëzet) vjet burgim.

Vuajtja e dënimit për te pandehurin Ahmet Ajeti, fillon nga data e ekzekutimit të këtij vendimi dhe të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

 

Vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë                                                          

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në datën 16. 07. 2014 me vendimin nr 175, mbështetur në përcaktimet e nenit 441/1, të Kodit të Procedurës Penale, vendosi, lënien në fuqi të vendimit nr. 45, datë 02. 07. 2012 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, për të gjykuarin Ahmet Ajeti. SYRI.net