Pas kualifikimit, sulmuesi i Shkëndijës humb sfidat me Sherif Tiraspol

Kualifikimi historik në turnin e dytë të Champions, ka lënë gjithsesi pasoja për Shkëndijën. Festa mes drithërimave në Uells përballë The New Saints u shoqërua edhe nga dëmtimi i sulmuesit Marjan Radeski.

23-vjeçari u lëndua në minutat shtesë të sfidës, atëherë kur loja u ashpërsua dhe Shkëndija mbrojti portën nga pësimi i golit të pestë, i cili do të bënte që fituesi i duelit të zgjidhej pas shtesave apo ndoshta edhe penalltive.Dëmtimi në gju bën që Radeski të humbasë dy sfidat e radhës me Sherif Tiraspolin.

Moldavët do të paraqiten për ndeshjen e parë në Shkup më 24 korrik, ndërsa takimi i kthimit do të luhet më datë 31 korrik.

Klubi kuqezi njoftoi se për shkak të problemit në gjurin e djathtë, stafi teknik nuk do të mund të mbështetet te kontributi i sulmuesit të krahut për këto përballje. Pas vizitamje të specializuara mjekësore, Shkëndija dhe Radeski janë në pritje të rezonancës magnetike.

Vetëm kështu do të përcaktohet qartë dëmtimi që ka pësuar 23-vjeçari dhe periudha që nevojitet për rikuperimin e plot dhe rikthimin e tij në fushë. Për të tentuar mrekullinë edhe përballë Sherif Tiraspol, tetovarët do të mbështeten te kualiteti dhe golat e Besart Ibraimit, Izair Eminit dhe brazilianit Stenio Junior.