VIDEO/ Thaçi flet pas takimit me Vuçiç: Ishte takimi më i rëndë dhe i shkurtër

Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, njoftoi se në takimin disaminutësh mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksander Vuciq, u diskutuar për hapat drejt arritjes së një marrëveshjeje të obligueshme. Në njoftimin e dhënë nga zyra e Mogherinit thuhet se presidentët u pajtuan për takimin e radhës pas disa javësh.

Përfaqësuesja e lartë e BE’së, Federica Mogherini, sot në Bruksel priti në takim Presidentin serb Aleksander Vuciç dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

“Përfaqësuesja e lartë dhe dy presidentët rishikuan progresin e bërë në diskutimet për kornizat e arritjes së një marrëveshje të obligushme dhe legale për normalizim të raporteve mes dy vendeve. Ata u pajtuan që të ritakohen brenda disa javëve dhe të vazhdojnë punën e tyre”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e Mogherinit.

Ndërkohë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi është deklaruar pas takimit që pati me presidentin, Aleksandër Vuçiq se“Ka qenë takim i shkurtër, takim jo i lehtë, shumë i vështirë. Ma  i rëndi në këto gjashtë vitet e fundit. Nuk do të jetë e lehtë, takimet e ardhshme do të jenë edhe më të vështira.

 

Ka qenë takim i rëndë, sepse Serbia ende mendon që Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës”, ka thënë Thaçi pas takimit.

“Po punojmë maksimalisht që të arrijmë marrëveshje përfundimtare. Unë shoh dritë në fund të tunelit, por do të jetë e vështirë. Vuçiç duhet të kuptoj që Kosova është vend Sovran, por duhet të punojmë ende që të arrijmë marrëveshje përfundimtare”, ka theksuar Presidenti I Kosovës.

Pas përfundimit të takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Frederika Mogherini, për media është deklaruar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se është kërkuar një marrëveshje e përbashkët për kompromis dhe të ruhet stabiliteti.

“Jemi pajtuar për dy gjëra, që të vazhdohet dialogu dhe të kërkojmë marrëveshje të përbashkët kompromisi. Gjeja tjetër është që të ruhet stabiliteti”, ka thënë ai.

Sipas tij, janë shqiptarët, duke përmendur presidentin Thaçi, se është ai që dëshiron gjithçka për Kosovën, ndërsa pala serbe po mundohet në të mirë të përgjithshme.

“Me një fjalë mund të them se shqiptari Thaçi dëshirojnë të marrë gjithçka për shqiptaret e Kosovës, ndërsa ne po mundohemi për marrëveshje kompromisi që të mos humb gjithçka dhe që t’i mbrojmë interesat e Serbisë dhe serbëve”, deklaroi me pas presidenti serb.

Sipas tij, “nuk janë bisedime te lehta në pozitën që jemi tash, por dëshirojmë që ta ruajmë paqen për të ardhmen e fëmijëve tanë”.