VIDEO/ A do ta dekretojë ligjin për shembjen e Teatrit? Ja ç'thotë Presidenti Meta

Presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur sot lidhur me dekretimin e ligjit për shembjen e godinës së Teatrit dhe ngritjen e kullave në vendin e tij. Deklarata u bë për mediat pas një aktiviteti që mbajti Aleanca për Dhurimin e Gjakut, ku ishte i pranishëm dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Pyetje: Z. President, a e keni shqyrtuar ligjin e posaçëm për Teatrin dhe a keni vendosur nëse do ta dekretoni atë?

Meta: "Ende nuk mund të jap një prononcim për këtë çështje, pasi jemi duke e shqyrtuar, por besoj se lajmi i rëndësishëm që mund të jap sot dhe që ju tashmë e keni marrë është krijimi i kësaj Aleance për dhurimin e gjakut që sapo ka filluar...Unë dua t’ju siguroj që në çdo vendim nuk do të ndikohem nga asnjë faktor jashtë atyre përgjegjësive që ka Presidenti në mbajtjen e qëndrimeve dhe vendimeve të tilla."

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita i kanë kërkuar zyrtarisht dhe i kanë bërë edhe sot thirrje publike, presidentit Meta, të mos e dekretojë ligjin e kaluar me votat e mazhorancës në Kuvend që i hap rrugën shembjes së Teatrit.