Prokuroria kërkon dënim të rëndë për klubin e Serie A

Prokuroria ka kërkuar një dënim me heqjen e 2 pikëve për Parmën në lidhje me çështjen e hapur për mesazhet e dyshimta në “Whatsapp” të dërguara nga Emanuele Kalaio para ndeshjes me Specian për disa lojtarë të ekipit kundërshtar.

Po ashtu, është kërkuar edhe heqja e 6 pikëve në kampionatin e ardhshëm, por në rast se kjo kërkesë e Prokurorisë miratohet, atëherë Parma do t’i jepte lamtumirën Serisë A.

Një dënim i rëndë është kërkuar për sulmuesin Kalaio, 4 vjet përjashtim nga aktivitetet, për tentativë manipulimi.

Sipas Prokurorisë, mesazhet e Kalaio kishin si qëllim që të pengonin lojën e ndershme të disa lojtarëve të Specias, në mënyrë që Parma të ngjitej në Serinë A.

Vetë sulmuesi ishte i pranishëm në seancë, ashtu si dhe avokati i klubit emilian.

Kalaio duhet të paguajë edhe një gjobë prej 50 mijë eurosh, nëse Gjykata vendos që ta pranojë kërkesën e Prokurorisë.

I interesuar direkt për këtë çështje është Palermo, që do të luante në Serinë A sezonin e ardhshëm, nëse Gjykata dënon Parmën.