Gjithçka nisi nga rroveshata, ja si nisi transferimi i Ronaldos

Nëse Kristiano Ronaldo nuk do të shënonte një nga golat më spektakolarë të karrierës së tij, atë roveshatë ndaj Juventusit më 3 prill 2018, ndoshta tani nuk do të ishte një futbollist i bardhezinjve. Këtë e ka pranuar drejtori sportiv i bardhezinjve, Fabio Paratiçi, i cili ka zbuluar prapaskenat e transferimit që shumëkush e ka cilësuar si më të bujshmin e këtij shekulli.

 “Në ditët pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve fola me menaxherin e  tij, Horge Mendes i cili më tregoi për emocionet e lojtarit për atë duartrokitje. Më tha ‘një ditë do të dëshironte të luante te Juventusi’ dhe unë iu përgjigja ‘një ditë…'”, tregoi Paratiçi.

Më pas, palët ishin takuar në qershor për të finalizuar marrëveshjen për transferimin e Kancelos, i cili menaxhohet po nga Mendes. “Mendes më shpjegoi situatën e Ronaldos. Unë fola me presidentin, pasi gjëja më e vështirë në këtë mes ishte që të bënim llogaritë ekonomike. Ai priti dy ditë e më pas më tha ‘vazhdo, provo të shohësh nëse ekziston vërtetë kjo mundësi;”, tregoi drejtuesi i Juventusit hapat që çuan në negociatat me Realin dhe realizuan transferimin e bujshëm.