Refuzohet riekspertiza për djalin rom, reagon Berisha: Urdhër kriminal racist i Edvin Kristaq Ramës, vrasje e dytë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar i indinjuar për refuzimin e Prokurorisë së Korçës për të ribërë ekspertizën e të ndjerit, të riut rom Enea Ftoi; familja e këtij të fundit shprehet se ka dyshime të forta se Enea vdiq nga dhuna në komisariat dhe jo nga shkaqe natyrore.

Berisha, në një mesazh në Fb, gjykon se ky është një akt i mirëfilltë racizmi shtetëror, i urdhëruar nga kryeministri dhe i ka bërë thirrje, komunitetit rom në veçanti dhe qytetarëve shqiptarë në përgjithësi, të mos heshtin. 

“Sot, në një akt racizmi të mirëfilltë shtetëror, - shprehet Berisha, - kryekreu Edvin Kristaq Rama refuzoi ekspertizën e organeve të Enea Ftoit, të riut rom që ra viktimë e një krimi shtetëror nga torturat e narkoxhelatëve me uniformë në qelitë e komisaritit të Korçës.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe si aktin e krimit racist shtetëror, vdekjen me tortura në komisariatin e Korçës të të riut Enea Ftoj, baba i tre fëmijëve të vegjël, dënoj gjithashtu si një vrasje për së dyti urdhrin kriminal racist të Edvin Kristaq Ramës për të mos lejuar ekspertizën e organeve të viktimës së racizmit shtetëror dhe i bëj thirrje komunitetit rom të Korçës dhe mbarë Shqipërisë, por dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë të bëjnë çdo gjë për shpagimin e jetës së të riut Enea Ftoj dhe ndëshkimin e merituar të Edvin Kristaq Ramës, vrasësit për së dyti të të riut rom!"