SHBA në alarm të kuq, priten sulme

Inteligjenca amerikane ka ndezur alarmin e kuq lidhur me mundësinë e sulmeve kibernetike nga jashtë.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Amerikane, Dan Coats, konfirmoi se situata gjendet në një pikë kritike.

Ai arrin aty sa që i krahason shenjat paralajmëruese me ato që i paraprinë 11 Shtatorit.

‘Sistemi i alarmit është duke ndezur dhe infrastruktura dixhitale që i shërben vendit tonë po sulmohet,’ shpjegoi ai.

‘Ndodhi në muajt para 11 Shtatorit, sipas drejtorit të atëhershëm të CIA-s, Xhorxh Tenet, që sistemi ishte me alarm të kuq.

Dhe pothuajse dy dekada më vonë, unë jam këtu për t’ju thënë se alarmi i kuq është ndezur përsëri;, u shpreh kreu i inteligjencës amerikane.

Coats iu referua Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut si vende që sipas tij janë ‘duke vazhduar përpjekjet e tyre për të minuar demokracinë amerikane’.

Ai i përshkroi rusët si ‘aktorët e huaj më agresivë nga të gjithë’.

Vende që çdo ditë, tha ai, futen në infrastrukturat tona dixhitale dhe që udhëheqin një sërë ndërhyrjesh kibernetike dhe sulmesh kundër objektivave në Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht se dha këtë alarm kaq të rrezikshëm, shefi i inteligjencës nuk sqaroi se çfarë po bëhet për të parandaluar dhe penguar këto sulme.