Franca kampione e Botës, por shihni se kush janë fituesit e tjerë të çmimeve në ‘Rusi 2018’

Teksa Botërori i Rusisë uli siparin, në ceremoninë ku u dha edhe trofeu i Kupës së Botës për francezët, u ndanë gjithashtu edhe disa trofe individualë, për arritjet në këtë edicion.

Luka Modriç, edhe pse doli i humbur nga finalja, u shpall Lojtari më i Mirë i turneut. Kroati u zgjodh 3 herë në 7 ndeshje që luajti, lojtari i ndeshjes, dhe këtë trofe e mori me sytë në lot. Modriç kaloi me vota belgun Hazard, i cili u rendit i dytë, dhe Grizman i treti.

Mbape, që shënoi golin e katërt në finale, u zgjodh Lojtar i Ri më i Mirë i turneut.

Ndërkohë, Tibo Kurtua u zgjodh “Doreza e Artë” e këtij Botërori.

Golashënuesi më i mirë, me 6 gola, u shpall anglezi Herri Kane.

Ndërkohë, ekipi Fair-Play i turneut u shpall kombëtarja e Spanjës.