Francë – Kroaci, historia e finaleve favorizon kroatët debutues

Pas një festivali njëmujor të futbollit, Kupa e Botës 2018 do të ulë siparin pasditen e së dielës në Moskë, teksa kampionët e botës të 1998-ës do të përballen me një Kroaci që do të bëjë paraqitjen e saj të parë në një finale të Botërorit.

Të gjithë prisnin që Franca të shkonte larg në Rusi dhe nuk është një surprizë që ata janë një nga finalistet, duke parë talentet e shumtë që kanë në dispozicion.

Edhe pse nuk kanë dominuar siç mendonin pjesa më e madhe, ata kanë treguar se dinë si të fitojnë. Kjo është ajo që kanë bërë në gjysmëfinalen e luajtur kundër Belgjikës. Samuel Umtiti ka qenë heroi i papritur i atij takimi, duke realizuar golin e vetëm të ndeshjes dhe duke i dhuruar “Gjelave” finalen. Pas atij momenti, lojtarët e Deschamps janë mbyllur në mbrojtje dhe kanë neutralizuar yjet e Belgjikës.

Eden Hazard pati pak momente të mira, por francezët kanë arritur t’i bllokojnë sulmuesit e kundërshtarit dhe t’i nxjerrin ata jashtë loje. Në momentet që belgët kanë çarë mbrojtjen e Francës, ka qenë Lloris ai që i ka ndalur ata me reflekset e tij. Në fund, “Les Bleus” e kanë merituar fitoren 1-0 dhe pasi kanë bërë një paraqitje të ngjashme edhe në fitoren 2-0 të marrë kundër Uruguait në çerekfinale, mund të thuhet se mbrojtja është pika e tyre më e fortë.