Duma: Prishja e teatrit është shkatërrim i identitetit kombëtar

Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma thekson se prishja e godinës së Teatrit Kombëtar, është jo vetëm një aferë klienteliste e Kryeministrit Edi Rama, por edhe një cënim i identitetit kombëtar.

E ftuar në emisionin “Intervista e Ditës”, deputetja e PD-së nënvizon rëndësinë historike dhe kulturore që kjo godinë mbart ndër vite.

Duke listuar një sërë emrash artistësh të mëdhenj që i kanë dedikuar jetën dhe punën brenda asaj godine, ajo shton se vlera që ka Teatri nuk mund të matet me metra katrorë, pasi ato janë vlera kulturore dhe historike.

Duma thotë se është kundër politikës aktuale të qeverisë, që ka të bëjë me nisjen nga zero dhe rindërtimin. E parë në kuadrin e prishjes së godinës së Teatrit, deputetja demokrate thekson se në këtë mënyrë zhduket historia jo vetëm e vet godinës, por edhe vlerave të saj si identitet kombëtar.