Ironike! Rama i shpreh mirënjohjen Tusk-ut për shtyrjen e negociatave: Vendim pozitiv, zgjidhje shumë e mirë

Kryeministri Edi Rama dha të premten në mesditë, një deklaratë me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk. Ndërsa ky i fundit shprehu bindjen e tij se Shqipëria do të angazhohej për çeljen e negociatave vitin tjetër, Rama habitshëm i shprehu një mirënjohje të madhe Tusk, që BE ia shtyu edhe një vit tjetër, hapjen e negociatave Shqipërisë. Sipas Ramës, i dha kohë për t'u përgatitur.

"Falemnderit z. President, - tha Rama. -  Dua të shpreh pikësëpari mirënjohjen time për t’ju siguruar që vendimi i Këshillit në qershor ishte një vendim pozitiv. E di që nuk ishte e lehtë, por në fund është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dhe dritën e gjelbër për të filluar punën përgatitore që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave. Kjo ka qënë vërtet një zgjidhje shumë e mirë dhe dëshiroj edhe njëherë t’ju shpreh mirënjohjen tonë të plotë.

Së dyti, ka shumë rëndësi për ne të futemi në këtë proces dhe gjatë këtyre 12 muajve të punojmë fort për të arritur rezultate të mira, me qëllim që kur të futemi formalisht në negociata, të kemi fituar kohë dhe të ecim më shpejt. Në këtë drejtim do të mirëpresim komisionarin Hahn javën që vjen në Tiranë për t’u ulur me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces shumë të madh analitik në kuadër të punës përgatitore.

Së treti, jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës evropiane, ndaj zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe siç ju thatë, kemi bërë progres të mirë dhe shpresojmë se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, por të sinqertë të hapur siç jemi të angazhuar ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal ku ka ende shumë për të bërë. Ne mbështetemi tek udhëheqja juaj tek të gjithë ju në Bruksel dhe për të arritur të gjitha rezultatet e nevojshme në këtë kohë shumë intensive dhe shumë të qënësishme për ne.

Dhe, dua të them, më vjen keq për Poloninë që humbi në kampionatin botëror," e përfundoi fjalën me humor, kryeministri.