Partizani humbi me Mariborin, por dëgjoni se çfarë thotë Gega: Shkoi siç duhej

Partizani ka humbur në takimin e sotëm ndaj Mariborit, duke u mundur me rezultatin 0-1 në “Selman Stërmasi”.

Ashtu siç edhe pritej, eksperienca e madhe e kundërshtarit bëri diferencën, teksa pas një gabimi në mbrojtje, të kuqtë u ndëshkuan duke humbur 90 minutat, që me lojën e zhvilluar, mund të kishin marrë edhe më tepër.

Në një intervistë për “RTSH Sport”, trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ka përgëzuar futbollistët e tij për lojën e zhvilluar, ndërsa ka rikujtuar edhe njëherë për tifozët se objektivi i tij është kampionati shqiptar.

“Tashmë mund të them se është vështirësuar kualifikimi. Por nga ana tjetër dua të them se gjithçka shkoi ashtu siç duhej dhe lojtarët bënë maksimumin e tyre.

Nuk u bë shumë në pjesën sulmuese dhe ndoshta koha e shkurtër që kishim në dispozicion si skuadër na penalizoi disi. U bë një ndeshje dinjitoze dhe objektivi ynë është kampionati i ardhshëm.

E dimë që na pret një ndeshje dhe transfertë aspak e lehtë. Maribori është një skuadër shumë e fortë. Do e shoh ndeshjen më qetë, por me atë që kam parë në ditën e sotme, jam i kënaqur me atë që dhuruan lojtarët”, ka thënë Skënder Gega.