Basha: Rama nuk do të zbatojë Reformën në Drejtësi, por ...

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, ka komentuar situatën politike në vend.

Basha tha se Rama, nuk ka ndërmend të zbatojë Reformën në Drejtësi dhe të ngrejë sa më parë institucionet që do ta vënë në zbatim atë.

Sipas tij, Rama po kërkon që të kapë të gjithë sistemin në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Para se të niseshit nga Shqipëria, vendi juaj e gjeti veten në një ngërç tjetër, e kam fjalën për shkollën e magjistraturës. Nga reforma në drejtësi, siç dihet, shumë gjykatës po humbasin vendet e punës, por sistemi i drejtësisë do të ketë nevojë për zëvendësimin e tyre. Janë një grup studentësh, që kanë kryer Shkollën e Magjistraturës dhe një grup tjetër që pritet të shkojnë atje. Çfarë propozimi ofroni ju për të kapërcyer bllokimin me studentët e magjistraturës?

Lulzim Basha: E rëndësishme është të kuptojmë se çfarë po ndodh. Vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën me këto ritme të ngadalta pasi Partia Socialiste ka hedhur poshtë kërkesën edhe të organeve të vetting-ut edhe të opozitës për t’u pajisur me një buxhet të mjaftueshëm dhe me burime njerëzore, në mënyrë që vetting-u të ecë më shpejt. Siç mund t’i kujtohet edhe teleshikuesit tuaj, Partia Socialiste votoi për të prerë me 40 për qind buxhetin e propozuar nga organet e vetting-ut. Tani organet e vetting-ut nuk janë në gjendje të përparojnë me ritmet e duhura, duke vënë në pikëpyetje kalendarin e reformës në drejtësi, duk shtyrë krijimin e KLGJ-së dhe KLP-së, shtyrje që është antikushtetuese, sepse ke Kushtetutë këto dy organe duhet të ishin krijuar prej kohësh. Në vend të korigjojë atë që ka bërë vet gabim, pra miratimin e njëanshëm të ligjit të vetting-ut dhe injorimin e propozimeve të opozitës, në vend që të rikthehet te Kushtetuta, në vend që të rikthehet te propozimet tona, se kanë qenë edhe propozimet tona për të mbështetur me financime dhe burime njerëzore komisionet e vetting-ut, tani ai po propozon të krijojë institucione jashtë kuadrit të reformës në drejtësi, të cilat të kenë që edhe pa vetting të emërojë gjyqtarë dhe prokurorë. E ka bërë këtë me prokuroren e përgjithshme, e cila u emërua në kundërshtim me Kushtetutën, tani do t’i japë kësaj prokurore të përgjithshme dhe KLD-së kompetenca për të futur pa vetting dhe jashtë procedurave kushtetuese kandidatë në sistemin e drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Ky është konstatimi i gjendjes, që tashmë të gjithë e dimë. Por si dilet nga kjo gjendje?

Lulzim Basha: Nga kjo gjendje dilet vetëm duke u rikthyer te konsensusi kushtetues dhe duke u rikthyer te Kushtetuta, e cila u miratua me 140 vota. Pasi ajo u miratua me 140 vota, Partia Socialiste miratoi 6 ligje, duke përjashtuar opozitën, pasi kishte dhënë fjalën se këto 6 ligje do të bëheshin me konsensus, pikërisht që të na sillte në këtë pikë; që të vonohej krijimi i organeve të reja të drejtësisë, që të emërohej prokurorja e përkohshme me votat vetëm të maxhorancës dhe jashtë parashikimeve kushtetuese dhe që të bllokoheshin hetime jashtëzakonisht të rëndësishme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.