Si u përgjua polici që merrte para 'me porosi' nga gjyqtarët: 'Thuaji babit, do ta sjell atë 150-çen...'

Në datën 2 mars 2018 polici Haki Dyli, i cili shërbente pranë Gjykatës së Durrësit, ka biseduar në celular me një person, ku i thotë “thuaj babit do ta sjell atë 150-çen dhe do t’'a vonoj një çik atë qindshen”.

Këto para dyshohet se Haki Dyli ia kishte marrë një personi në hetim me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtari, por që më pas i ka rikthyer. Gjithashtu në përgjime te fshehta fotografike dhe me video rezulton se polici Haki Dyli u ka marrë disa herë para qytetarëve në procese gjyqësore. 60-vjeçari ua kërkonte vetë lekët qytetarëve dhe u thoshte se ai ishte vetëm ndërmjetësuesi me gjyqtarët dhe prokurorët.

Të njëjtin rol dyshohet se ka pasur edhe avokati Devis Qana, që gjithashtu është arrestuar. Të dy u ndaluan nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë. Pas arrestimit të policit dhe avokatit ka reaguar edhe Gjykata e Durrësit. Kjo gjykatë sqaron se arrestimi i policit është bërë pas kallzimit të kryetares së Gjykatës, Joana Qeleshi, shkruan Shqiptarja.com.

“Kallëzimi është bërë pas dyshimeve se punonjësi Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e tyre, duke ju premtuar dhe mashtruar qytetarë mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore”, – thotë Gjykata e Durrësit.