Beate dhe vrasjet raciste të bandës së saj, dështimi i Gjermanisë

E gjitha me të zeza është veshur kancelarja gjermane kur del në shkurt 2012 në pultin e oratorit dhe bën një premtim. Në këtë ditë dimri, në Berlin është mbledhur udhëheqja e shtetit gjerman, për të mbajtur zi. Viktimat nuk janë as të shquar, as kanë pasur pushtet. Me një përjashtim ata janë migrantë.

Nga Deutsche Welle

Beate Zschäpe dhe terroristët radikalë të djathtë të të vetëquajturës "Lëvizje klandestine nacionalsocialiste" (NSU) i vranë ata pikërisht për këtë shkak: për gjashtë vjet me radhë banda vrastare erdhi vërdallë nëpër Gjermani, grabiti, hodhi bomba dhe vrau. Motivi i tyre: urrejtje raciste ndaj imigrantëve. Dhe askush nuk i ndali. Asnjë polici, asnjë shërbim i fshehtë, asnjë qeveri.

Dyshime për viktimat

Edhe më e keqja: autoritetet gjermane të sigurisë vunë nën dyshim si kriminelë viktimat dhe familjet e tyre. Dyshuan për ta si tregtarë droge dhe anëtarë të mafias. Klishe raciste karakterizuan hetimet e policisë. Për Gjermaninë, që është krenare për rivlerësimin e krimeve nacionalsocialiste, kjo është një deklaratë falimentimi. Një dështim shtetëror.

Në këtë shkurt 2012 kancelarja u kërkon falje dhjetë familjeve të viktimave të vrara. Dhe premton: "Ne do të bëjmë gjithçka për të sqaruar vrasjet dhe për të zbuluar bashkëfajtorët dhe organizatorët dhe për t'i vendosur të gjithë dorasit para dënimit të tyre të drejtë". Ky është një premtim i madh. Dhe është shpresa më e madhe, që kanë familjet e viktimave për trajtimin juridik të vrasjeve me paramendim. Tani, kur mori fund procedura spektakulare penale e viteve të shkuara para një gjykate gjermane është e qartë: premtimi nuk u mbajt.

Hans Pfeiffer

Sepse përpjekjet e politikës dhe të gjykatave për një sqarim të plotë nuk zgjatën shumë. Shpejt u bë fjalë për fytyrën e shquar të të dyshuarës kryesore që u dënua tani, Beate Zschäpe. Rrjeti i ndihmësve dhe i mbështetësve të djathtë, që ishte i domosdoshëm për dorasit, ndërthurrja e dukshme e shërbimeve të fshehta në dështimin e institucioneve për të sqaruar - e gjitha kjo kaloi hap pas hapi në harresë. Edhe te kancelarja. Deri sot shërbimet e fshehta dhe ministritë ruajnë heshtjen, kur bëhet fjala për kontributin e tyre për rivlerësimin e asaj që ndodhi. Dhe para gjykatës doli vetëm një prerje e vogël e një rrjeti të madh mbështetësish.

Urrejtja ka mbërritur në parlament

Por dështimi i shtetit është shumë më i rëndë. Sepse atëherë, në vitin 2012, kancelarja premtoi se do të veprojë kundër atyre të cilët "i përndjekin të tjerët për shkak të prejardhjes së tyre, të ngjyrës së lëkurës dhe të fesë". Por sot, gjashtë vjet më vonë, racizmi dhe mendimi nacionalist kanë sërish vend në shoqëri, madje në Parlamentin gjerman. Ato kanë me AfD-në një zë agresiv të urrejtjes. Kjo në një kohë kur procesi kundër NSU-së e konfirmoi: urrejtja vret.