Moratti bëhet ‘xheloz’ që Ronaldo shkoi te Juventusi: E doja tek Interi

Cristiano Ronaldo nënshkroi zyrtarisht me Juventusin, ku për katër vitet e ardhshme do të veshë fanellën bardhezi.

Një blerje kjo që pritet të ngrejë nivelin e kampionatit italian, pasi portugezi do të sillte shumë përfitime.

Ky transferim është komentuar nga shumë personalitete të sportit ku shumica e kanë përgëzuar "Zonjën e Vjetër" për këtë marrëveshje.

Edhe ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, nuk ka lënë pa e komentuar këtë lëvizje "gjigante".

Gjatë prezantimit të “Calcio Cityt” në Milano, Moratti nuk e ka fshehur dëshirën për transferimin e yllit portugez tek Interi, gjithsesi ai përgëzon Juven për goditjen e madhe.

Një goditje e madhe. Unë mendoj se kjo ishte një ide e zgjuar, kështu që komplimente Juventusit. Ata kishin një ide të mirë. Pastaj, që ta marrësh këtë futbollist, varet nga potenciali, kjo është e qartë. Unë do të kisha preferuar që ai të shkonte tek Interi, sepse do të sillte gjallëri dhe sigurisht, forcë të madhe për ekipin”, u shpreh Moratti.