3.4 milionë euro në Toyota Yaris, ja data kur do të jepet masa për 4 të arrestuarit

Gjykata për Krimet e Rënda pritet që të japë masën e sigurisë për të akuzuarit lidhur me sasinë e 3.4 milionë eurove që u kapën në portin e Durrësit. Mësohet se seanca gjyqësore për të arrestuar Agim Çeka, Edi dhe Klevi Lika dhe Alban Mollaymeri do të mbahet më 12 korrik. 

Dyshohet se këto para burojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe po futeshin në të zezë në Shqipëri, ndërsa përveç 4 të arrestuarve, janë shpallur në kërkim edhe dy të tjerë, të dyshuar si porositësit e parave.

Në seancën e fundit të grupit, prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë të arrestuarit. Gjykata e Durrësit vendosi të lërë pas hekurave të pandehurit dhe shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Krimet e Rënda, duke qenë se ndaj të arrestuarve është ngritur edhe akuza si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.