Gashi-Gina vs Shqipëria, çështja pranohet nga Gjykata e Strasburgut

Gjykata e Strasburgut ka pranuar të marrë në shqyrtim, nëpërmjet procedurës së njoftimit urgjent të autoriteteve shqiptare dhe kalimit në seancë gjyqësore me prioritet, ankimin e prokurorëve Rovena Gashi dhe Dritan Gina, duke e regjistruar çështjen e tyre me nr. Nr.29943/18 “Gashi dhe Gina kundër Shqipërisë”, dt. 27.06.2018.

Dy prokurorët kanë ankimuar një seri procedurash ligjore, të ndjekura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, përfshirë edhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, si edhe të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.

Duke qenë se çështja e procedurave të ndjekura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit janë objekt shqyrtimi i Gjykatës së Strasburgut, prokurorja Rovena Gashi i ka kërkuar zyrtarisht KPK-së që të pezullojë procedurat e mëtejshme të verifikimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina, në aplikimin e tyre, i kanë argumentuar Gjykatës së Strasburgut se institucionet kanë dështuar që t'i sigurojnë një proces të rregullt ligjor, si gjatë procesit të rivlerësimit, ashtu edhe në procesin penal.

1. Gjatë procesit të rivlerësimit (Vetingut), subjektit Rovena Gashi nuk i është garantuar prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një trupë gjykuese e pavarur dhe e paanshme, pasi në përbërje të trupës gjykuese të këtij subjekti, madje në pozicionin e Relatores, për 4 muaj ka qenë komisionerja S.Zh, e cila është në kushtet e konfliktit të hapur të interesit me prokuroren.

Për shkeljen e parimeve të konfliktit të interesave, ankimuesit Gashi dhe Gina i referojnë Gjykatës së Strasburgut se edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka dështuar ta identifikojë dhe të sugjerojë masat përkatëse për komisioneren, siç e ngarkon ligji shqiptar këtë strukturë, pavarësisht faktit se ONM është vënë në dijeni të fakteve dhe provave nga subjekti Rovena Gashi.

2. KPK ka shkelur detyrimin e konfidencialitetit, duke shpërndarë informacione dhe akte zyrtare që ka administruar gjatë hetimit rreth subjekti Rovena Gashi, informacione, për të cilat vazhdonte procesi i verifikimit, ku relatore ka qenë komisionerja S.Zh, në kushtet e konfliktit të interesit. 

3. Shkeljet e procedurave gjatë procesit të rivlerësimit të subjektit Rovena Gashi kanë qenë vendimtare për shkatërrimin e pozitave të subjektit të rivlerësimit në drejtim të të trija kritereve, në raport me kriteret që ky subjekt u përfshi në procesin e Vetingut.

Aktualisht, subjekti Rovena Gashi është e pezulluar (cenim i kriterit të aftësive profesionale), për shkak se prokuroria e Durrësit e ka marrë në cilësinë e të pandehurit për fshehje pasurie (cenim i kriterit të pasurisë), në bazë të një hetimi të nisur nga publikimi abuziv dhe shpifës në media i disa dokumenteve (cenim i figurës), të dorëzuara nga prokurorja në mënyrë ekskluzive pranë Komisionit të Vetingut.

Gjithashtu, në kërkesën e regjistruar tashmë në Gjykatën e Strasburgut, aplikantët argumentojnë se, në procedurat e ndjekura nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ndaj ankimit të tyre për pezullimin nga detyra, iu është mohuar në mënyrë flagrante dhënia e drejtësisë, për shkak të pamundësisë për të kundërshtuar në rrugë gjyqësore urdhrat e pezullimit.