Flamurtari 'shkrin' Skënderbeun, rrëmben 3 superlojtarë

Flamurtari i Ilir Dajës po nis të marrë formë.

Idriz Batha, ish-kapiteni i Partizanit mund të konsiderohet afrimi më i ri i skuadrës vlonjate.

Pasi nuk arriti një akord me Shkëndijën e Tetovës ndërsa më pas klubi grek i Larissas prishi marrëveshjen me të, Batha ka vendosur të qëndrojë në Superiore pasi është bindur nga trajneri i ri i kuqezinjve Ilir Daja për t’iu bashkuar projektit të tij te Flamurtari.

Në orët e ardhshme pritet edhe zyrtarizimi i Bathës si lojtari i ri i skuadrës vlonjate.

Por Flamurtari nuk do të ndalet me vetëm ish-kapitenin e Partizanit pasi me shumë gjasa në Vlorë do të transferohet edhe Marko Radas.

Kroati, edhe pse shikohej si kapiteni i ardhshëm i Skënderbeut, nuk ka pranuar ofertën e Ardjan Takajt për të qëndruar në Korçë dhe pas plot 7 vitesh 34-vjeçari do të largohet nga bardhekuqtë për të provuar një aventurë të re sërish me Ilir Dajën në stol, pasi ka arritur në parim marrëveshjen me Flamurtarin.

Edhe Gledi Mici është shumë pranë rikthimit në Vlorë. Mbrojtësi i krahut të majtë nuk është bindur nga ofertat që ka marrë nga klube jashtë vendit dhe ka vendosur gjtihashtu të qëndrojë në Superiore.

Mici pritet të firmosë me Flamurtarin që do të blindojë mbrojtjen me dy ish-lojtarët e Skënderbeut./ superSport