Hugo Lloris e njeh forcën e Belgjikës: Janë një brez fantastik, do të vuajmë!

Kapiteni i Francës, Hugo Lloris, ka paralajmëruar shokët e skuadrës së tij te kombëtarja e "gjelave" se ata duhet të jenë të gatshëm të vuajnë përballë Belgjikës gjatë gjysmëfinales së Kupës së Botës të martën në mbrëmje.

Lloris nuk ka asnjë iluzion në lidhje me madhësinë e sfidës, por këmbëngul se ata do të jenë gati për testin ndërsa kërkojnë të arrijnë një finale të tretë në 20 vitet e fundit.

"Ata janë një ekip gjithëpërfshirës. Ata dinë të bëjnë gjithçka. Unë mendoj se ekipi belg është skuadra më e fortë në të gjitha aspektet e lojës gjatë këtij turneu. Ata janë të fortë kudo. Ata kanë gjithçka që duhet të jenë një ekip i shkëlqyeshëm dhe ata janë një ekip i shkëlqyeshëm. Është një brez fantastik dhe për t'i mundur ata do të duhet të luajmë një ndeshje të shkëlqyer.

Ne e dimë se do të ketë momente të vështira dhe ne do të duhet të jemi të gatshëm të vuajmë, por do të jemi gati sepse kemi një gjendje jashtëzakonisht të mirë të mendjes dhe është gjysmëfinalja në Kupën e Botës. Kemi një mundësi në karrierën tonë dhe ne duhet ta kapim atë me të dyja duart ", tha Lloris në konferencën për shtyp para ndeshjes.