Policia ndalon me dhunë protestën e PD, për trefishimin e çmimit të ujit në Vlorë

Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake e Vlorës ndaluan sot me dhunë protestën origjinale të Partisë Demokratike kundër trefishimit të çmimit të ujit të pijshëm për qytetarët vlonjatë. Përmes një baneri levizës, demokratët e Vlorës ironizonin kryetarin e Bashkisë Dritan Leli për trefishimin e taksës ndaj qytetarëve të Vlorës, në një kohë që zona të shumta të qytetit s’kanë ujë ose furnizohen minimalisht me 1 ose 2 orë ujë në ditë.

Por në mënyrë të dhunshme, baneri lëvizës u ndalua dhe u shkatërrua nga Policia private e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Policia e pushtetit të kriminalizuar, që nuk siguron rendin publik në pikun e turizmit e që është vënë në shërbim të interesave të trafikut të drogës, zbaton urdhëra antikushtetues duke shoqëruar pa asnjë motiv në polici shoferin e banerit.

“Ne si opozitë u ngritëm për një të drejtë themelore: ujin! Por Dritan Leli, Edi Rama dhe pushteti i tyre i pangopur kërkon të përfitojë nga çdo gjë. Prandaj sot ata përdorën dhunën që ne të heshtim kundrejt abuzimit me trefishimin çmimin e ujit në Bashkinë Vlorë. Nuk kemi frikë! Asgjë nuk do të na ndalë për të shpërndarë dhe mbrojtur të vërtetën. Vlora dhe gjithë Shqipëria meritojnë një qeverisje të denjë”, tha deputeti Agron Shehaj.

Partia Demokratike dënon ashpër dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit e kthyer në Polici private nga Rama dhe Xhafaj. Dhuna e ushtruar ndaj të drejtës kushtetuese për të protestuar, jo vetëm që është një akt i rëndë dhe antikushtetues por dhe i papranueshëm për demokratët.

Protestat nuk do të ndalen as në Vlorë, as në Tiranë dhe as në të gjithë Shqipërinë kundër padrejtësive, grabitjes me ligj të qytetarëve dhe pasurisë së tyre publike.

Më poshtë foto e protestës dhe video e shoqërimit të paligjshëm të shoferit të banerit levizës.