Ja çfarë thotë Deschamps para gjysmëfinales me Belgjikën

Më datën 10 korrik (nesër) do të luhet gjysmëfinalja e parë e Botërorit “Rusi 2018”, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë Franca dhe Belgjika, dy nga skuadrat më të mira, që me meritë kanë arritur deri këtu.

Trajneri i “gjelave”, Didier Deschamps, ka folur 24 orë para duelit, duke u shprehur se nuk i trembet “djajve të kuq” belgë.

Sipas trajnerit francez, fakti që kanë arritur të ndalin një kampion si Lionel Messi është domethënëse.

“Jemi përgatitur për çdo të papritur, pavarësisht se si rivalët tanë do të luajnë në këtë sfidë. Përgatitja është e njëjtë si për ndeshjet e tjera. Njësoj si kur mundëm Argjentinën dhe ndalëm Messin një javë më parë. Kante e bllokoi mjaft mirë argjentinasin, kjo është e vërteta dhe kur Leo luajti ndaj nesh, thuajse ishte inekzistent në fushë”, tha Deschamps për mediat.

Ndeshja e parë gjysmëfinale do të luhet në Shën Petërburg. “Belgjika nuk ka ardhur rastësisht deri këtu, është një skuadër e fortë dhe me shumë talente. Personalisht e respektoj shumë këtë ekip. Ndaj Brazilit bënë një ndeshje të madhe, me një plan loje specifik, duke përforcuar mesfushën dhe mbyllur hapësirat dhe brazilianët nuk arritën të depërtonin. Ka shumë gjasa që këtë gjë të bëjnë edhe ndaj nesh, por jam i bindur se do të jemi gati”, u shpreh Deschamps.