Nxirren edhe 4 fëmijë nga shpella

Ankthi për të bllokuarit në shpellën malore në veri të Tajlandës po merr fund. Ekipet e zhytësve nxorën gjatë ditës 4 fëmijë, një ditë pasi 4 të tjerë u shpëtuan në nisje të operacionit dhe u dërguan në spital për kurim. Numri total i të shpëtuarve shkon 8. Ata dërgohen me helikopter në spitalin më të afërt të zonës.

Në shpellë mbeten ende 5 persona, përfshirë edhe trajnerin e futbollit. Numri i zhytësve profesionistë të përfshirë në operacion arriti në 90. Shumica e tyre, rreth 50 janë të huaj.

Secili prej të bllokuarve shoqërohet nga dy zhytës. Gjatë gjithë kohës ata qëndrojnë me maskë oksigjeni dhe janë të lidhur me një litar përgjatë gjithë hapësirës së përmbytur në brendësi të shpellës.

Kjo skemë e animuar e publikuar nga rrjeti televiziv amerikan CNN tregon gjithë gjatësinë e shpellës. Siç duket uji ka përmbytur gati gjysmën e saj. Kjo është zona më e vështirë për t’u kaluar në shpellën që ka një gjatësi rreth 6 kilometra, e cila shtrihet rreth 10 km nën sipërfaqen e malit. Autoritetet i druhen rinisjes se reshjeve dhe përmbytjes së shpellës ndaj dhe janë në luftë me kohën për të nxjerrë të gjithë të mbijetuarit.