Si të ëmbëlsoni ullinjtë në shtëpi. Ja sekretet që duhet të dini

Ullinjtë janë një ushqim tipik mesdhetar dhe si i tillë nuk duhet të mungojë kurrë në tavolinat tona. Mbreti i vajrave që del po nga kjo pemë dhe kokrrat e tij është shumë i shijshëm dhe shumë i shëndetshëm.

Ullinjtë mund t’i përdorim për sallatë, pica, antipastë ose me djathë dhe bukë të ngrohtë. Shumica prej nesh i blenë ullinjtë nëpër markete, por ka shumë amvisa shqiptare që zgjedhin t’i ‘ëmbëlsojnë” ato vetë në kushtet e shtëpisë.

Për këtë proces na duhen:

5 kg ullinj

2 kg kripë kokërrmadhe

2 lt vaj ulliri

1 lt vaj luledielli

Përgatitja:

Marrim ullinjtë dhe fillojmë t’i shtypim një e nga një. Pasi t’i kemi shtypur të gjithë fillojmë t’i vendosim në vazo qelqi.

Hedhim një shtresë ullinj, i mbulojmë me kripë dhe në këtë mënyrë vazhdojmë derisa t’i kemi mbaruar të gjithë ullinjtë.

Shtresa e fundit duhet të jetë me kripë. E mbulojmë vazon me kapak. Duhet të kemi kujdes t’i trazojmë ullinjtë dy herë në ditë.

Kur i trazojmë duhet të vendosni dorashkë. Pasi ka kaluar një javë marrim ullinjtë dhe i vendosim në një kullonjëse, i shpëlajmë me ujë dhe më pas i vendosim përsëri në vazo me kripë.

I lemë përreth 3-4 ditë me kripë përsëri. Më pas i shpëlajmë  më ujë t’u iki kripa dhe i lemë në ujë për një natë. I kullojmë dhe i hedhim në vazo.

Shtojmë vajin dhe i mbulojmë komplet me vaj. Mbyllim vazon me kapak dhe ullinjtë në këtë mënyrë i lemë në dollap larg dritës së diellit dhe nxehtësisë së lartë.

Zakonisht në Shqipëri përdoret hiri i zjarrit për të hequr hidhërimin e ullinjve por në mungesë të tij ne kemi përdorur kripën.