A e shpëtoi ‘armiku’ Majko nderin e PS-së?

Edi Rama me arrogancën karakteristike të tij dhe me ushtarllëkun e pashoq të deputetëve të PS miratoi një ligj i cili që në fillim të nisjes së hartimit si projekt ishte antikushtetues. Në aspektin ligjor, projekti i miratuar për Teatrin Kombëtar, është i dënueshëm dhe dikush mos sot, neser do të mbajë përgjegjesi për të.

Kjo është detyrë e opozitës dhe specialistëve të saj ta denoncojnë e të mbajnë qëndrimet e tyre në funksion të betejës opozitare që shpesh herë lë për të dëshiruar.

Por një gjë e tmerrshme që më ra në sy gjatë seancës së tejzgjatur ku diskutohej për një ligj që ishte paracaktuar se do të votohej e miratohej nga rreshtorja e ushtarllëkut, ishte sjellja e kreut të qeverisë Rama ndaj deputetit dhe ministrit të tij Pandeli Majko.

Me një kullundrim të pashoq ai i hakërrehej deri në bërtitje të përbrendëshme nga shpirti, Majkos. Ishte i tmerruar që po i dilte një nga radhët e besnikërisë prej ushtarllëku e maskarallëku e nuk qëndronte dot. O do ikte Rama, o do ikte Majko.

Dhe, që nga ajo natë e votimit Pandeli Majko ështe shpallur armik dhe pjesë e një grupi armiqësor që kundërshtont shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Akuza: Tradhëtoi idealet e partisë, u bashkua me armiqtë për të mos votuar shembjen e një objekti kulturor shumë të rrezikshem për rininë dhe brezat që vijnë.

Akuzuesit: Stafi i ngushte i legjionit të nderit, PPP,

Gjyqtari që do ti bëjë gjyqin: Edi Rama dora vetë, me të tijtë

Prokurori: Eshtë ndërmjet Taulantit dhe Gramozit....

Por jashtë ironisë, në të vertëtë në grupin  e PS nuk ka asnjë artist, shkrimtar apo aktor që ta vlerësojë rëndësinë e ruajtjes së kësaj godine jo vetëm politikisht por edhe emocionalisht. Pra gjithçka është bërë e mirë menduar pasi edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk do të lejojë askënd që të hedhë poshte këtë votë unanime të pushtetit kundër kulturës dhe historisë së kryeqytetit tonë, edhe të ri në moshë.

Ishte i vetëm Pandeli Majko, “heroi” i artit e tradites në PS por i vetmuar dhe pa përkrahje u detyrua të largohej. Ndoshta po mundohej të shpëtonte nderin e PS në këtë betejë të pamoralshme kundër një simboli kulturor dhe historik të Tiranës. Kësaj here e kuptoi të keqen dhe u largua. Herë të tjera aty ka qenë dhe nuk ka reaguar kur u votuan tenderat  dhe PPP-të e famëshme. Nejse, me mirë vonë se kurrë.

Te enjten në darkë Pandeli Majko me ngjante më të riun “rebel” që nën drejtimin e Iir Metës themeluan të parën organizatë liberale në gjirin e partisë ‘nënë’ me 1992, FRESH. Edhe në atë kohë sulmohej po ashtu si nje natë më parë nga bishat e byrosë politike. Sulmohej me të njëjtin shikim, ngërdheshje mllef dhe shfryrje veçse me zë më të lartë dhe me mimikë më të shthurur sepse në atë kohë nuk kishte edhe aq shumë mundësi filmimi apo regjistrimi. Kështu nuk ngelen gjurmët.

Dhe Majko si i padjallëzuar që është e dëgjonte shfryrjen e shefit të tij dhe tundëte kokën në të njëjten mënyrë si atëherë, ndoshta nuk donte ta fyente, nuk donte të ishte si ai. Koha tregoi se Majko vazhdimisht kishte pasur të drejtë.

Pra gjërat nuk kane ndryshuar shumë për Majkon dhe raportet e tij me 'liderin' dhe këtë ai duket se e ka kuptuar shumë hollë dhe thellë.

Fati i tij në politike qysh prej të enjtes së kaluar është ndarë nga Edi Rama dhe për këtë do të jemi dëshmitarë në të ardhmen. Por Mjako e di mirë se sa herë që është goditur ai e ka nisur ringritjen e tij për të qenë sërish prezent.

Dhe të jeni të sigurtë që Pandi nuk do të këtë fatin e Ben Blushit që të shkojë drejtor televizioni dhe as të krijojë një parti sa për fushatë, pra të vazhdojë të jetë në shërbim të liderit të tij por do të fashitet avash, avash nga skena e poltikës në PS dhe do të mund të rikthehet sërish në atë skenë kur nuk do të jënë më aktorë të roleve të para, siç ishin për shembjen e teatrit, Rama me të tijtë.

Kurajo Pandeli....