Federata zvicerane në dilemë për futbollistët me 2 shtetësi

Zvicra është duke shqyrtuar mundësinë nëse do t’i ndalojë futbollistët me dy kombësi të përfaqësohen në ekipin kombëtar.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Zvicerane të Futbollit, Alex Miescher, kjo po shndërrohet në një problem, sidomos pas rastit të festimit me gjestin e shqiponjës gjatë botërorit. Nga 12 mesfushorët dhe sulmuesit e zgjedhur nga ekipin, dhjetë pre tyre kishin lindur jashtë shtetit ose kanë prindër që kanë emigruar në Zvicër.

Miescher sugjeroi që federata t’i ofrojë mbështetjen e programeve të saj vetëm futbollistëve të rinj që heqin dorë nga një kombësi e dytë. Sipas tij, aktualisht Zvicra përfitoi duke forcuar kombëtaren, por nëse të ardhmen do të shpeshtohet pjesëmarrja në Europian apo Botëror e Bosnjes, Kroacisë, Shqipërisë apo disa vendeve afrikane, atëherë Zvicra thjesht do të trajnonte shumë lojtarë për shtete të tjera.

Kreu i federatës tha se lojtarët e rinj i bëjnë shumë premtime Zvicrës, por kur arrijnë moshën 21 vjeç zgjedhin të përfaqësojnë një shtet tjetër sepse kanë më shumë mundësi të luajnë në nivel ndërkombëtar, shkruan Scan.tv.

Ivan Rakitic është një shembull, i lindur dhe rritur në Zvicër, ai përfaqësoi kombëtaren zvicerane në U-17, U19 dhe U-21. Por në 2007 ai vendosi të luante për Kroacinë, duke krijuar një reagim shumë të fortë në Zvicër.

Sipas Miescher, federata po e shqyrton mundësinë e përjashtimit të shtetasve të dyfishtë nga ekipet kombëtare, por nëse publiku e konsideron këtë një masë ekstreme atëherë do të duhet të gjejë një zgjidhje tjetër.