Abidal hedh poshtë akuzat për trafik organesh, poston foton me kushëririn që i dhuroi mëlçinë

Eric Abidal nxjerr provën e pakundërshtueshme që shuan çdo dyshim rreth dhuruesit të mëlçisë që i shpëtoi jetën vite më parë, kur luante me Barcelonën.

Ditët e fundit bëri bujë lajmi i shpërndarë me shpejtësi në media se mëlçia që iu transplantua francezit ishte blerë në mënyrë të paligjshme, por e vërteta, siç e vërteton edhe kjo foto, është krejt ndryshe.

Abidal ka publikuar në rrjetet sociale fotografinë ku ai shfaqet me kushëririn e tij, Gerard, që i kishte dhuruar organin jetësor.

Fotoja është realizuar në “Hospital Clínic”, ku dhuruesi dhe përfituesi shfaqen pranë njëri-tjetrit.

“Me publikimin e kësaj fotoje kërkoj respekt ndaj kushëririt tim, Gerard, si dhe të mbroj nderin e tij. Denoncoj publikisht sjelljen e disa mediave, që vazhdojnë të vënë në dyshim ligjshmërinë e ndërhyrjes që më shpëtoi jetën. Mjaft me kaq! Kërkoj respekt për gjithçka kemi kaluar dhe po kalojmë”, deklaroi Abidal.