Erikson tremb Anglinë: Më mirë të luante me Brazilin sesa me Suedinë

Ish-trajneri i Anglisë, Zven-Goran Erikson, beson se ishullorët do ta kishin më të lehtë të mundnin Brazilin sesa vendin e tij, Suedinë, në çerekfinalet e Botërorit.

“Do ta kishte pa dyshim më të lehtë të mundte Brazilin në opinionin tim. Suedia sot është një skuadër shumë e fortë për t’u thyer.

Sulmuesit e tyre bëhen mbrojtës dhe ata dinë të mbrojnë gjithashtu edhe në zonën e tyre. Edhe po t’i zgjosh në mes të natës, ata do të mbajnë mend çdo pozicion në mbrojtje.

Do të jetë ndeshja më e vështirë e anglezëve deri tani. Italia nuk u shënoi dot për 180 minuta në ‘Play-Off’. Gjermania vuajti dhe iu desh goditja e dënimit e Toni Krosit në fund. Zvicra mund të kishte luajtur një javë dhe sërish nuk do t’u kishte shënuar. Suedia është pak a shumë si Islanda në 2016.

Nëse do t’i eliminojë Anglia, atëherë pa dyshim që do bëj tifo për këta të fundit”, deklaroi Erikson.