KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Apelit Luan Kaloçi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Prokurorin e Apelit, Luan Kaloçi. Prokurori nuk ishte prezent dhe u përqafësua nga avokati i tij Ardian Visha.

Kaloçi, nuk ka arritur të justifikojë dot para KPK pasurinë e tij. Bëhet fjalë për disa  kontrata të  shitblerjeve të apartamenteve në Tiranë dhe Elbasan.

Relatorja, Xhensila Pine, tha se për apartamentin prej 145 metrash katror, Kaloçi ka deklaruar se e kishte blerë 52 mijë dollarë, pasi kishte shitur një shtëpi në Elbasan në vitin 1999, për 4 milionë e 800 mijë lekë nga djali i xhaxhait.

Ndërsa dyqanin prej 132 m 2, prokurori e kishte blerë me një lotari sportive ku kishte fituar një shumë të konsiderueshme të hollash.

Përpos kësaj, kandidati për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka deklaruar se kjo pronë, e paregjistruar në hipotekë, ishte në sipërfaqen prej 86 metrash katrorë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpjegoi se në vitin 2007 Kaloçi nuk ka deklaruar një shumë prej 5 mijë dollarësh dhe 20 mijë euro në llogarinë bankare të bashkëshortes.

Një tjetër pikë që u diskutua në seancë ishte edhe një kredi që prokurori mori për studimet në Itali të vajzës së tij, ndërkohë që ajo ishte vetëm 15 vjeçe.