E konfirmon i vëllai: Higuain nuk ikën nga Juventusi, do jetë dyshe perfekte me Ronaldon

Menaxheri i Gonzalo Higuain, njëkohësisht vëllai i sulmuesit argjentinas, mohon zërat për një largim të mundshëm nga Juventusi gjatë kësaj vere.

I kontaktuar nga “Sky Sport”, Nicolas Higuain nuk e sheh si opsion vijimin e karrierës së vëllait të tij larg Torinos.

“Nuk ka patur asnjë kontakt mes nesh dhe klubeve të tjera. Gonzalo ka edhe dy vite kontratë me Juventusin dhe ne duam ta respektojmë. Pastaj, ndihet shumë mirë në Torino, është në sintoni me klubin dhe trajnerin Allegri. Është e vërtetë që ka patur marrëdhënie shumë të mira me Maurizio Sarrin, por trajneri toskan nuk ka shkuar ende te Chelsea dhe nuk mund të flas për një kalim të mundshëm të Gonzalos në Londër”, tha ai.

Nicolas Higuain nuk shqetësohet aspak për afrimin e mundshëm të Cristiano Ronaldos te bardhezinjtë, madje, sipas tij, për El Pipitan do të ishte edhe më mirë.

“CR7 tek Juventusi? Gonzalo do të ishte i lumtur. Do të ishte fantastike gjithashtu nëse i sheh të dy në fushë, sikurse ka ndodhur te Reali i Madridit. Juvja do të bënte një goditje të madhe me Cristianon”, përfundoi vëllai i sulmuesit argjentinas.