Pistat e Rama-Xhafaj që fshehin motivin e vërtetë të (vet)vrasjes së shoferit të ministrit

Një vëzhgim i thjeshte i dy ditëve te fundit, qëkur u mor vesh humbja e jetës së shoferit historik të Fatmir Xhafajt, na flet për hutimin e rëndë që ka kapluar organet hetimore.

Pyetjet e thjeshta mbi kohën e vrasjes, gjendjen e të ndjerit në orët para vrasjes, mbi marrëdhënien e kohëve të fundit të shoferit me eprorin e tij, si dhe mbi detajet e shumë të shtënave të identifikuara në vendngjarje, ose marrin përgjigje të ndërlikuara, ose thuhet se janë ende nën hetim.

Veç një pyetje ka marrë përgjigje të menjëhershme dhe të shpeshhershme (sa herë opinioni publik ngre pikëpyetjet e tij); bëhet fjalë për vetëvrasje.

E tha i pari - dora vetë - Edi Rama, pastaj ministri, me një deklaratë që tentonte të përcillte edhe dridhjen e zërit, e më pas edhe Policia e Shtetit, si dhe një numër mediash, nga burime ‘të besueshme’.

Por në ditën e tretë kur Qordja ka ndërruar jetë, opinioni vijon te testohet me teza të ndryshme, si me sms-në drejtuar së ëmës që del se nuk figuron në fashikujt e policisë, me hamendjen se i ndjeri ka qenë nën efektin e alkoolit kur ka shkrepur armën, çka përgënjeshtrohet nga dëshmitarët okularë, me deklarimin se kamerat e Gardës ka një muaj që s’punojnë, çka mohohet nga drejtuesit e institucionit...si dhe me pretendimin themeltar, atë se ministri prej javësh e kishte pezulluar shoferin e tij, çka e rrëzojnë dokumentet e Ministrisë së Brendshme si dhe fakti se i ndjeri natën kur humbi jetën ishte fiks me makinën kryesore të Ministrit të Brendshëm.

E gjithë kjo skemë keqinformimesh, me variante që s’janë asnjëherë përfundimtare, ka lidhje me asgjësimin e çfarëdolloj integriteti profesional të organeve të hetimit.

Ato janë në pamundësi ‘objektive’ për të punuar e zbardhur me shpejtësi dinamikën e (vetë)vrasjes.

Sa kohë Fatmir Xhafaj do vijojë të jetë shefi i tyre, ata sdo mundin të nxjerrin një raport mbi motivin e vdekjes së Qordjes. Një raport pa motiv mund të dalë, veç në u shoqëroftë nga pseudomotivi ‘vrasje nga pakujdesia’.

Por opinioni s’po i pranon këto shpikje diletante të strukturave të asgjësuara të hetimit. Si për ironi, nga prodhimi i këtij raporti-fake varet edhe fati i ministrit të Brendshëm.

Ai mezi regjistroi një kompromis të ngrire për çështjen e të vëllait, prandaj duket i vendosur të shkatërrojë përfundimisht hetimin për vdekjen e shoferit të tij, qoftë edhe me kostot e paparashikueshme, personalë, familjare e partiake që mund të sjellë ky akt.