Redon Makashi, më në fund paska një ‘plan të fshehtë’ për martesën, që e zbuloi pa dashje...!

Nuk është e thënë të ndodhë ndryshe. Sado ta ketë bezdi, sado të përpiqet për të rrëfyer të reja nga projektet muzikore, nga muzika e mirë, nga aktivitetet e ndryshme artistike, Redonin, gjithmonë do ta pyesin “Pse nuk martohesh?” Aq shumë ia kanë bërë këtë pyetje, saqë këngëtari i njohur, ndonjëherë edhe është “lutur” para intervistave: “Aman mos ma bëj këtë pyetje…”

Por është e pamundur. Edhe ai e di: “Pafundësisht…” – tha sot në Top Arena, pas pyetjes (të moderuar në këtë rast) “Sa herë të kanë pyetur për martesën?”. Në çdo intervistë, pavarësisht qëllimit të saj, Redoni nuk e shmang dot këtë pyetje. Po pse nuk martohet atëherë?

Edhe për këtë Redoni e ka një përgjigje, por pas një paranteze, që në rastin e tij, nuk mund ta lësh mënjanë: “Më pyesin në çdo intervistë. Flasim për artin, për muzikën apo të tjera aktivitete artistike dhe shikon që titujt e dalë në portale kanë shkëputur vetëm këtë… Se çfarë u tha për muzikën, për artin, u harrua”, – vijoi Redoni i keqardhur edhe për mënyrën se si serviren lajmet që fokusohen te jeta e tyre private më shumë sesa aktiviteti artistik i artistëve.

Megjithatë, e ka përgjigjen ndryshe edhe për këtë rast, pas pyetjes së shumëpërsëritur: “Kur të dalin gjërat, do dalin tamam…” – tha ai me dëshirën për ta mbyllur një herë e mirë.

Fill pas intervistës, as Manushi nuk e la të qetë: “Edhe 50 vjet të tjera do të të pyesin “Pse nuk martohesh, nëse nuk martohesh” – e ngacmoi ai Redonin, i cili nuk e la pa replikë: “Po unë edhe mund të martohem dhe nuk them gjë fare që jam martuar…”

Atëherë, Redonit i pëlqyeka ta ngacmojnë për martesën. Sepse nëse do të donte të mos e lodhnin më me këtë pyetje, natyrisht ai duhet t’u kthejë përgjigje të gjithëve.

Meqë jemi këtu, kur do të martohej Redoni?