Teatri, Veliaj nuk denjon të respektojë Kuvendin: I kam dhënë shpjegimet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka pranuar të paraqitet në seancë dëgjimore parlamentare për të dhënë shpjegime lidhur me projektligjin për shembjen e godinës së Teatrit dhe ngritjen e kullave në vendin e tij. Ai e ka refuzuar zyrtarisht, me një shkresë, Komisionin për Informimin të drejtuara nga deputetja e PD, Albana Vokshi ku thekson se shqyrtimi dhe zhvillimi i seancave dëgjimore për këtë temë është  tashmë i ezauruar dhe përfunduar.

Ky refuzim i kryebashkiakut ka ardhur pas trazirës që ai shkaktoi në komision një javë më parë, ku ai shkoi pa qënë i thirrur dhe nuk pranoi të dilte nga mbledhja, ku fjalën e kishte vetëm Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Veliaj propagandoi me forcë në atë mbledhje arritjet e qeverisë, projektet urbane dhe theksoi se edhe projekti i teatrit do të bëhej ashtu si gjithë të tjerët që ishin kundërshtuar me forcë nga opozita.

Në atë mbledhje, Garda refuzoi ta nxirrte jashtë kryebashkiakun që debatoi ashpër me kryetaren e komisionit Albana Vokshin.

Pas trazirës që Veliaj shkaktoi dhe nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje, nga mbledhja e komisionit iku edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.