Vetëvrasje nga pakujdesia! Ja skenari i ri i Xhafës për të mbyllur hetimet për shoferin e tij

Prej tre ditësh shqiptarët po dëgjojnë disa skenarë në mediat e kontrolluara nga qeveria për ngjarjen e rëndë të së shtunës tek Garda e Republikës, ku u gjet i pajetë me plumb në kokë shoferi i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Skenarët e qeverisë kanë një synim. Të bindin shqiptarët se ngjarja nuk ishte një akt mafioz, siç thotë opozita dhe siç dyshon shumica e njerëzve, por ishte një vetëvrasje. Për këtë u investua të nesërmen vetë kryeministri, i cili, pa pritur hetimet dhe ekspertizën, e klasifikoi ngjarjen si vetëvrasje për t’i mbyllur gojën opinionit publik dhe mediave që nuk i kontrollon.

Por një ngjarje e tillë misterioze për njeriun që vetë Xhafaj tha se e konsideronte si person të familjes, është e vështirë të mbyllet pa dhënë argumenta bindës për motivin e vetëvrasjes me 3 plumba. Në skenarët e qeverisë këto tre ditë kemi dëgjuar disa versione, ku mbizotëroi infomacioni se shoferi i Ministrit të Brendshëm kishte konsumuar alkool deri në mëngjes para aktit vetëvrasës brenda Gardës së Republikës.

Informacioni tjetër ishte një mesazh telefonik për familjen, për ta bërë sa më besueshëm versionin e vetëvrasjes. Kësaj i shtohet edhe lajmi se gjurmët e gishtave në armën e përdorur i përkasin viktimës. Por, është fare e dukshme se çdo skenari i mungon motivi pse u vetëvra 31-vjeçari, i përshkruar në çdo lajm si njeri i qetë, që nuk kishte shfaqur problem emocionale.

Pa motiv çdo hetim mbetet i pabesueshëm. Prandaj qeveria ka nisur të shpërndajë skenarin më të papritur, vetëvrasje nga pakujdesia. Një skenar ky që nuk kërkon hetim për motivet e vetëvrasjes dhe mbyll dosjen e vdekjes misterioze brenda Gardës së Republikës të shoferit të Ministrit të Brendshëm. Për këtë mjafton të manipulohen disa të dhëna nga vendngjarja nga organet përkatëse, të gjitha nën varësi të Ministrit të Brendshëm.

Nxitimi i Fatmir Xhafës për të mbyllur çështjen e (vetë)vrasjes së shoferit të tij është identik me nxitimin për të larguar nga Shqipëria të vëllanë, Agron Xhafaj, të kapur në përgjim për trafik droge. Më e mira për zbulimin e të vërtetës do të ishte që Xhafaj ose të jepte dorëheqjen për të mos ndikuar hetimet, ose të fliste. Dhe ai duhet të ketë shumë për të folur./Hashtag.al