Rutte: Marrëdhënia BE-Britani, duhet qartësuar urgjentisht

Kryeministri holandez, Mark Rutte zhvilloi sot një takim me homologen e tij britanike, Theresa May, ku në qendër të bisedimeve ishte çështja Brexit.

Takimi vjen në një moment kur Theresa May po përballet me një presion në rritje nga vendet e Bashkimit Europian, në lidhje me pozicionimin e Britanisë në marrëdhëniet tregtare me bllokun.

Kryeministri holandez është një nga të paktët liderë të Unionit Europian, që ka kërkuar kushte të favorshme për Britaninë, gjatë procesit të daljes nga BE-ja.

Gjithsesi këtë herë ai i bëri të qartë kryeministres Theresa May se mbi këtë çështje ka nevojë për qartësim të menjëhershëm të pozitave të të dy palëve.

“Ne kemi nevojë urgjente për qartësi në lidhje me çdo aspekt të marrëdhënies së ardhshme midis BE-së dhe Britanisë së Madhe”, tha Rutte.

Nga ana tjetër, Theresa May nuk dha një përgjigje për deklaratën e homologut të saj holandez, ndërsa pas takimit me Angela Merkel, pritet të shprehë më qartë pozicionin e saj në këtë çështje .