Me kullë, apo pa kullë? Si e drodhi Edi Rama, nga opozita në pushtet

Në tetor të vitit 2013, vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet, Edi Rama anuloi një nga projektet e shumëdiskutuara, Xhaminë e Namazgjasë.

Miratuar nga qeveria Berisha në maj të vitit 2013, ky projekt u kundërshtua hapur nga opozita socialiste e asaj kohe, ndërsa përtej debateve të pronësisë që lidheshin me zonën ku do të ndërtohej xhamia, opozita socialiste e asaj kohe kishte kundërshtuar hapur atë, që ishte konsideruar si abuzim dhe që lidhej me ndërtimin e atyre, që u cilësuan si kulla biznesi, për qëllime të pastra përfitimi.

Me këtë argument, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, Rama vendosi anulimin e lejes së ndërtimit për Xhaminë e Namazgjasë.

Një vit më pas, në Nëntor të vitit 2014 Kryeministri prezantoi projektin e ri të Xhamisë, që sipas tij: “ndryshon katërcipërisht nga projekti i vjetër, sepse nëse në projektin e vjetër Xhamia ishte kthyer në ato New Jersy-t që ndajnë rrugën, në projektin e ri ka një park të madh publik dhe nuk është vetëm që nga një pallat me Xhami, kaluam në një Xhami pa pallat, por në vend të pallatit do të ketë një park publik për qytetarët dhe do të ketë dhe një Muze të Bashkëjetesës”.

Por me kalimin e viteve në pushtet, duket se Rama ndryshoi mendim për bashkëjetesën e objekteve publike me pallatet dhe kullat. Në fillim ligji i famshëm i PPP-ve e më pas ndërtimi i stadiumit të ri me një kullë në mes, duket se e zbutën urrejtjen e Kryeministrit për kullat dhe pallatet. Në një standard të ri, që me sa duket pushteti ta lejon, tashmë Rama mendon ndryshe, kur flet per teatrin e ri dhe thotë se:

“Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale ne qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët”.

E ndërsa debatet për teatrin vazhdojnë mes argumentave pro dhe kundër për shembjen e tij, mes pikëpyetjeve apo akuzave për abuzim, tashmë një gjë është e sigurt. Edi Rama nuk i urren kullat, edhe pse me këtë i duhet të kundërshtoje vetveten.

Kur Rama kundërshton vetveten:

Nëntor 2014

“Nëse në projektin e vjetër Xhamia ishte kthyer në ato New Jersy-t që ndajnë rrugën, në projektin e ri ka një park të madh publik dhe nuk është vetëm që nga një pallat me Xhami, kaluam në një Xhami pa pallat, por në vend të pallatit do të ketë një park publik për qytetarët dhe do të ketë dhe një Muze të Bashkëjetesës”.

Mars 2018

“Nuk do jetë teatër me kullë, por s’do kishte asnjë mëkat të ishte nën kullë, se njerëzit shkojnë të shohin teatër dhe jo kullë. Këtu nuk është historia se çfarë ka sipër, apo anash, pavarësisht se sipër do ketë hapësirë teatrale ne qiell të hapur dhe anash do ketë hapësirat e veta për artistët”./Opinion.al