Gjosha: Demokracia në Shqipëri nuk po funksionon. Rama po qeveris si diktator

Intervista e Deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha për emisionin Aktualitet në Shijak TV

Çfarë  ka ndodhur në të vërtet me negociatat?

Unë mendoj që jemi në një skenë absurde në këto momente,  sepse të thuash Po kur është një Jo e pastër, kjo nuk kishte ndodhur ndonjëherë aq më tepër kur bëhej fjalë për një nga proceset më  objektive që shkruhen qartë në raportet e Komisionit Europian apo dhe të Këshillit, që ka të bëjë me negociatat e Shqipërisë. Kjo është një aspiratë shumë e madhe e qytetarëve të Shqipërisë dhe të mashtrosh sot shqiptarët duke u thënë që kemi çelur negociatat, kemi fituar dhe vazhdojmë festën, është absurde. Unë mendoj që festa sërish ka qenë shumë e madhe, në një moment kur nuk duhej të festohej. Shoë ka qenë i paprecedentë, kur nuk ka vend për shoë, por ka vend për përgjegjshmëri,ka vend për punë, ka vend për analizë, për të kuptuar pse BE, shtyu vendimin e Shqipërisë me një vit. Unë jam realiste kur flas dhe pavarësisht se jam opozitare jam shumë teknike te ky proces. Duke qenë teknike nuk më lejohet dhe të gaboj. Çfarë ka ndodhur? Këshilli ka vendosur të ritakohet në qershorin e vitit 2019 për të vendosur,  nëse Shqipëria ka përmbushur kushtet për  çeljen e negociatave apo jo, duke vendosur një sërë kushtet. Ajo çka ka ndodhur, për herë të parë ka hedhur poshtë një raport të komisionit Europian i cili kërkonte çeljen e negociatave të Shqipërisë, thuhet nga qeveria pa kushte, unë gjithmonë kam thënë, që brenda atij raporti ka pasur kushte dhe kush ka ditur të lexojë ka ditur të kuptojë që vendet anëtare mund të gjenin gjithësecila kushtet e veta për Shqipërinë. Sepse jo  çdo vend ka problematika bilaterale të mbartura me vendin tonë. Hollanda ka krimin e organizuar, trafikun e drogës, Franca ka azilkërkuesit, Greqia nga ana tjetër ka çështjen e minoriteteve. Pra janë një sërë vendesh që kanë ende problematika të vogla apo të mëdha me Shqipërinë.

Për herë të parë ndryshon dhe procedura sesi do të vendoset nëse Shqipërisë do ti çelen negociatat apo jo vitin që vjen. Përveç se do të kemi sërish një raport të Komisionit Europian, i cili nuk artikulohet fare nga qeveria, kemi dhe një problematikë tjetër që do duhet vendet anëtare tashmë të ratifikojnë në parlamentet e tyre vendimin për negociatat e Shqipërisë para se të mblidhet Këshilli. Dhe këtu unë vetëm po të ndalem pak sekonda, qytetarët duhet të kuptojnë që ky do të jetë një vendim I pamundur edhe për qershorin e 2019. E them këtë sepse ne nuk bindim dot 28 krerë shtetesh që janë vetëm 28 individë apo 28 ministra të jashtëm. Imagjino të bindim me mijëra parlamentarë të vendeve anëtare. Do të thotë që për Shqipërinë është e pamundur, sepse gjithmonë ka rryma që mund të jenë skeptike, gjithmonë ka parlamentarë që mund të kenë një marrëdhënie shumë herë më të ngushtë me Shqipërinë dhe që e dinë show mirë realitetin në Shqipëri. Ndaj dhe vendimi vitin që vjen për mua është I pamundur dhe festa e qeverisë është jo vetëm absurde, por ka kaluar në  një budallallëk I cili me të vërtetë ka shokuar dhe qytetarët. Edhe ata qytetarë që ndoshta nuk e kuptojnë realisht se çfarë ndodh me procesin e integrimit europian.

Kemi një këmbëngulje ose arrogancë të Edi Ramës për t’i imponuar të gjithë njerëzve që të heshtin kur vjen puna për të thënë po ose jo..

Këto janë karakteristika të një diktatori, ne e njohim sepse kemi jetuar në atë sistem, ndoshta unë pak për shkak të moshës, por besoj që gjithë ajo gjeneratë e prindërve tanë, e gjyshërve tanë e njohin mirë ça do të thotë të jesh në një sistem diktatorial. Unë besoj që Edi Rama këtë ka ndërmend dhe e ka pasur ndërmend prej vitesh. Tashmë duke qenë i vetëm në pushtet të gjitha vendimet i merr në arbitraritet të plotë, madje është për të ardhur keq se nuk pyet as njerëzit e kabinetit të vetë që duhet të jenë bashkëpunëtorët më të afërt, apo dhe përgjegjësit për sektorët përkatës. Edi Rama funksionon i vetëm, sot edhe drejtësia është në dorën e tij. Kryeprokurorja e Përgjithshme është e vendosur prej tij. Fakti që sot nuk ngrihet SPAK-u apo BKH, kuptohet që është me urdhër të tij. Pra janë një sërë çështjesh zinxhir që shkojnë nga urdhri i një individi të vetëm. Dhe unë besoj që një shtet, i  cili ka kaluar 27 vite me një demokraci të brishtë le të themi, nuk meriton të rikthehet pas. Do të meritonte kë konsolidonte institucionet, demokracinë dhe kjo nuk po funksionon. Ajo çka po ndodh është e frikshme për qytetarët të cilët i druhen fjalës së lirë, i druhen edhe ankimimit po të shikojmë. Ajo pjesa e shoë-t që ai bën dhe me njerëzit dhe me qytetarët , ku I thotë ulu ti, fol ti, boll fole, shko drejtohu te portal etj me rradhë. Pra kemi një individ,  i cili tani drejton edhe qytetarët sesi të flasin e ku të ankimohen. Ndërkohë që nuk duhet të ishte ky. Shteti funksionon me institucione.  Nuk funksionon me një kryeministër që merret me gjithçka dhe që vendos për  gjithçka. Unë uroj vetëm që qytetarët të kenë kuptuar hilet e tij, këtë sistem diktatorial i cili ai do të instalojë në Shqipëri dhe besoj që shumë shpejt do të vijë dhe dita e ndëshkimit ashtu siç ka ardhur dhjetori i vitit 90.

  Kemi një ministër të jashtëm aktor, ai kërkon të mbushë mendjen e shqiptarëve që ne jemi në BE..

Unë mendoj që ministri i jashtëm do të ishte i fundit njëri që unë kisha pritur të thoshte që çelëm negociatat. Jam e shokuar sepse të paktën për një njeri që është teknik në këtë proces është e patolerueshme që të dalë nga  vetja e tij dhe nga faktet, raportet e KE dhe të Këshillit  për të shkuar më tej dhe për ti mbushur mendjen shqiptarëve që shiko se ne i çelëm negociatat. Nuk është kështu, ai e di fare mirë këtë. Besoj që vazhdon shoën e kryetarit të tij sepse sërish vinte te urdhri I kryeministrit. Çdo gjë vjen me urdhër nga lart. Por nuk mund të vazhdohet kështu sepse Shqipëria do të japë sërish provim vitin që vjen dhe në qoftë se ne vazhdojmë me fjalinë, po çelëm negociatat  do të thotë që ne do të rehatohemi në karriget tona dhe nuk do të punojmë. Pra nuk do të përmbushim kushtet. Kjo është frika ime dhe trishtimi që në fakt  I ka pllakosur gjithë qytetarët sot.

Ku ngeci gjithë ajo punë voluminoze që bëtë ju, që ishte e trashëguar?

Unë do ndalem në 3-4 momente. E para nuk e di e mbani mend takimin e parë të kryeministrit me qeverinë e re në shtator ku nuk u tha asnjë fjalë për integrimin. Pika e nisjes ishte duke i thënë qytetarëve, unë nuk e kam prioritet këtë çështje. E dyta ishte shkrirja e Ministrisë së Integrimit dhe nuk ishte vetëm një mesazh për qytetarët por edhe për Europianët, shiko se unë do ta vendos në ministrinë e jashtme, do të merren dy-tre persona të cilët ai i ndërron në 3-4 muaj. Sepse ka filluar ka ndërruar dhe zv/ministrat  që merren dhe duhet të jenë persona teknik që koordinojnë procesin e integrimit. Pra kemi një degradim të gjithë funksionimeve të koordinimit të procesit dhe që këtu ka nisur për të vazhduar më tej në çështjet madhore. Që është drejtësia, përsa kohë është në duart e politikës nuk mund të pranohet nga ndërkombëtarët. Është e pamundur, mund të pranohet nga 3-4 individ që mund të kenë interesa të caktuara në këtë vend por nuk pranohet nga vota demokratike që rrethon vetë BE. Pjesa tjetër, flasim për krimin e organizuar i cili ka rrezikuar jo vetëm sigurinë kombëtare por ka rrezikuar sigurinë e vendeve anëtare, sigurinë europiane. Nuk të fal Europa për çështje të tilla. Hollanda për shembull e ka një nga çështjet më madhore këtë. Grupet kriminale shqiptare sot janë të instaluara në Hollandë dhe kërkohet bashkëpunim. Ata kanë prej disa muajsh që kërkojnë institucionet shqiptare të krijojnë marrëveshje në mënyrë që të luftojnë krimin. Dhe institucionet shqiptare nuk janë përgjigjur. Pra kemi të bëjmë këtu me çështje teknike të cilat do të jepnin rezultate konkrete. Dhe pika kulminante janë 2 ministrat e brendshëm. Unë nuk dua të bëhem pjesë e politikës apo e lojës që bëhet me emrat e ministrave në politikë. Thashë pavarësisht se jam opozitare dua të jem shumë konkrete në argumentet e mia. Ka një problem, në momentin kur politika ndërhyn në sistemin e drejtësisë për të ruajtur imunitetin e politikanëve  apo të njerëzve të saj këtu ka mbaruar drejtësia. Pra do të thotë që edhe drejtësia e re që po ngrihet nuk po funksionon më, është sërish në duart e një individi dhe akoma më e rrezikshme se çka qenë më parë. Në qoftë se ne flisnim në dorën e një partie, sot e kemi në dorën e një individi. Pra është shumë herë më me problem sesa çka qenë vitet e mëparshme. Si çështja e Tahirit ashtu dhe ajo e ministrit Xhafa  ku ne kemi kryeministrin i cili para se të marrë vendimin drejtësia del dhe thotë vendimet e tij, kjo do të thotë që këtu ka marrë fund çdo gjë. Drejtësia, demokracia, fjala e lirë, barazia e njerëzve të thjeshtë me ata që i drejtojnë sepse ky është ligji duhet të jemi të gjithë të barabartë para tij dhe këtu është cënuar dhe rrënuar procesi i integrimit të Shqipërisë.