Arta Marku 'e virgjër' me pasurinë, por i dalin 'lakrat' si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka shfaqur një arrogancë dhe delir, që ka rënë në sy për keq te Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili vulos Vettingun ndaj saj. Por veçanërisht te përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar i Monitorimit, Theo Jakobs, duke mos denjuar të përballet personalisht me ata.

Marku pa dhënë asnjë arsye konkrete ka refuzuar, që të ishte sot e pranishme në seancë, (edhe pse kishte forca te shtuara të sigurisë) duke u përfaqësuar përpara trupit gjykuese të KPK (Përbëhet nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, Suela Zhegu), vetëm nga avokatja, Lirime Çukaj.

Nga procesi i cili ka tre shtylla (pasuria, integriteti moral dhe profesionalizmi në detyrë) Arta Marku rezulton “ e virgjër”, nga deklarimi i saktë  për sa i përket pasurisë. Por duket se KPK nuk është mjaftuar me kaq, ndaj kontrolli i figurës së saj është shtritë edhe më gjerë.

Sipas relatores Suela Zhegu, Arta Marku paraqet probleme të shumta veçanërisht në kryerjen e detyrës së saj, si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Ajo në këtë detyrë nuk ka dërguar shkresa dhe dokumente, të cilat do të argumentonin lëvizjet e shumta që ajo ka bërë në institucionin që drejton, menjëherë pasi u zgjodh në mënyrë të dyshimtë nga parlamenti me pakicë votash.

Në seancë u theksua se KPK i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për emërimet dhe komandimet në atë institucion dhe ka kërkuar vënien në dispozicion të dokumentacionit dhe bazën ligjore mbi të cilat janë mbështetur këto emërime dhe shkarkime. Poë në mënyrë arrogante, Prokuroria e Përgjithshme është mjaftuar vetëm  argumentin se, “ këto lëvizje janë të përkohshme, deri në ngritjen e institucioneve të reja”.

Në mënyrë të prerë, KPK, ka vlerësuar, se nuk ka marrë asnjë përgjigje dhe argumentim ligjor, për këtë “reformë” që ka kryer Marku në Prokurorinë e Përgjithshme. Kujtojmë se pikërisht për këtë çështje, ajo është akuzuar sistematikisht nga media dhe opozita.

Gjithashtu sipas relatores Zhegu, në vitin 2016, Marku si prokurore në Shkodër ka kërkuar arrest me burg për një shtetas me inicialet A.B, i cili  akuzohej për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Kjo masë vlerësohet nga KPK, si ekstreme.

“Nga konventat europiane që i kemi ratifikuar, subjekti i rivlerësimit nuk ka bërë një shtjellim të qartë, se përse i pandehuri,.duhej të qëndronte në burg për drejtim mjeti në mënyrë te parregullt. Kjo masë arresti me burg, vleresohet si ekstreme nga KPK gjithashtu”, tha Zhegu.