Tentohet akt terrorist ndaj opozitës iraniane në Francë. Të pranishëm dhe Majko e Mediu

Një çift, me origjinë iraniane, është ndaluar të shtunë në Belgjikë me akuzën se po përgatitnin një atentat në Villepinte, në Francë.

Sipas hetuesve, të dy, rreth të 30-ave, synonin të godisnin gjatë një takimi të një grupi të opozitës “Muxhahedinët e popullit iranian”, aktivitet ku ishte i pranishëm edhe ministri shqiptar i Diasporës Pandeli Majko dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Gjatë kontrollit policia ka gjetur 500 gramë eksploziv TATP dhe një detonator në makinën e tyre.

Sipas asaj që shkruajnë mediat lokale, të dy, me kombësi belge, janë banues në Wilrijk, një qytezë pranë Anversës.

Ndërsa në Francë është arrestuar një bashkëpunëtor i dyshuar dhe po merren në pyetje dy persona të tjerë, ndërsa në Gjermani është ndaluar edhe një person-kontakt i çiftit, një diplomat iranian, i cili punonte në ambasadën e Vjenës në Austri.