Berisha përkujton 2 Korrikun, ditën që i hapi rrugën rrëzimit të komunizmit

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka përkujtuar 2 korrikun e vitit 1990-të, ku mijëra të rinj u dyndën pranë ambasadave dhe i hapën rrugën pluralizmit shqiptar.

Me anë të një postimi në Facebook, ish-kryeministri Berisha shkruan se sot shqiptarët duhet tu jenë mirënjohës atyre të rinjve, të cilët me guximin dhe trimërinë e tyre na treguan rrugën e lirisë dhe demokracisë.

Ja postimi i Berishës:

Sot 28 vjetori i revoltës së ambasadave!

Miq, si sot 28 vjet më parë, rinia e Tiranës kryesisht ajo punëtore u ngrit me një trimëri të rrallë e të paparë kundër diktaturës staliniste më barbare të Enver Hoxhes, Hitlerit shqiptar të pasluftes së dytë botërore në Europë, dhe me një guxim të jashtëzakonshëm shembën Murin e Berlinit në Tiranë.

Mijëra e mijëra djem dhe vajza kryesisht punëtor ose të papunë por edhe intelektualë guximtarë, vërshuan në oborret dhe ndërtesat e ambasadave të huaja kryesisht asaj gjermane në Tiranë, dhe në një përballje epike mposhtën regjimin mizor të Ramiz Alisë, diktaturë që ekzekutoi me qindra të rinj dhe të reja në kufijtë e vendit në vitin 1990 dhe zvarriste në rrugët dhe sheshet e qyteteve të vendit trupat e tyre të bërë shosh nga plumbat për të mbjellë tmerr dhe terror tek qytetarët shqiptar.

Kurajo dhe heroizmi i heronjve të revoltës së ambasadave, për shkak të frikës që mbretëronte në shoqërinë tonë, nuk gjeti mbështetjen masive të gjërë e publike të qytetarëve dhe intelektualëve të Tiranës.

Por megjithë këtë, kjo revoltë ishte mesazhi më i fuqishëm i shqiptarëve të shtypur për botën e lirë dhe burimi më i madh i frymëzimit i studentëve liberatorë, që me revolucionin e tyre të dhjetorit 1990 do të themelonin pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike e do të çelnin dyert e mbyllura të lirisë për shqiptarët.

Ndaj ju ftoj të dashur miq të shprehim së bashku mirënjohjen tonë më të thellë dhe nderimin më të madh për djemtë, vajzat, burrat, gratë e revoltës së ambasadave, që me trimërinë u treguan shqiptarëve rrugën e lirisë!