FOTO/ Gjendet pas 12 ditësh trupi i mbytur i muxhahedinit

Gjendet pas 12 ditësh kërkime trupi i pajetë i shtetasit iranian që u mbyt në rezervuarin e fshatit Rrotull të njësisë administrative Manëz. Trupi i viktimës u konstatua sot në thellësi të rezervuarit, pas më shumë se katër orë kërkimesh nga palombarët e portit dhe efektivë të policisë Durrës.

Sipas burimeve, trupi i pajetë është pjesërisht i dekompozuar nga qëndrimi për një kohë të gjatë në ujë, teksa është dërguar për ekzaminim në morgun e spitalit të Durrësit.

Shtetasi iranian M. Sh., 47 vjeç, u zhduk më 19 qershor, në rezervuarin e fshatit Rrotull në Durrës, disa kilometra larg kampit të tyre, ku ishte futur për t’u larë dhe është mbytur.

Kërkimet e gjata pa rezultat hodhën dyshime se mund të ishte një inskenim, ku viktima mund të ishte arratisur ose vrarë. Por gjetja e trupit të pajetë sot ka qartësuar çdo gjë, duke konfirmuar dëshmitë e bashkëkombësve të tij që banojnë në kampin e muxhahedinëve në Manëz, të cilët thanë se 47-vjeçari ishte futur në rezervuar për tu larë dhe nuk kishte dalë më prej tij.