Shikoni si ka ndryshuar pasuria e kryeprokurores Arta Marku

Arta Marku u mor nga Shkodra dhe u emërua nga mazhoranca Kryeprokurore e Përkohshme, Detyrë që e mban prej dhjetorit 2017. 42 vjecarja me origjinë nga Puka ka 17 vite punë në sistemin e drejtësisë. Ajo ka deklaruar një pasuri modeste, një apartament në Shkodër të blerë me kredi dhe një llogari të vogël bankare. Marku do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.

Më poshtë analiza e pasurise

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003-viti i parë i deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë. Ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare e Znj. Marku kap vlerën e 5.4 milionë lekëve.

Pjesa kryesore në ndryshimin e pasurisë përbëhet nga një apartament me sipërfaqe 103 metër katrorë në qytetin e Shkodrës, i blerë së bashku me bashkëshortin për 5 milionë lekë në vitin 2006. Burimi i kësaj pasurie, sipas deklarimeve është një kredi bankare me vlerë 6.7 milionë lekëve.

Përveç kredisë për shtëpinë, Marku ka marrë edhe kredi konsumatore përgjatë viteve dhe një pjesë e kursimeve familjare kanë shkuar për shlyerjen e tyre. Në fund të vitit 2017, ajo zotëronte gjithashtu 450 mijë lekë kursime në cash.
Të ardhurat e familjes Marku përbëhen kryesisht nga të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 25.6 milionë lekëve për vitet 2003-2017. Ajo ka deklaruar gjithashtu të ardhura nga mësimdhënia në masën 1.3 për qind si dhe nga dietat rreth 1.5 për qind.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 14 deklarata pasurie të prokurores Arta Marku dhe asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme apo me diferenca të pajustifikuara.

Ndërkohë, BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” në këtë analizë deklarimin e pronësisë së ¼ të një apartamenti nga bashkëshorti i saj në vitin 2015, pasuri kjo që nuk ishte deklaruar në vitet e mëparshme.