Ironia e Gjekmarkajt me Ramën: Mish, qofte e birra për integrimin

Nga Agron Gjekmarkaj

Në letrën e përunjur që i dërgova Kryeministrit dje ashtu nga tahmahi u nguta për ta përgëzuar, harrova ti bëj edhe disa sygjerime modeste! Por tani ka kohë. Ai ende po merret me detajet e festës dhe zburma do kohë të arrijë pikun.

Me të drejtë mblodhi katër ambasadorë dhe ju vari në qafë nga një medalje lavdie në formë patkoi! Ata njerëz modestë ngrinin supet … se kuptonin pse gjithë ai nderim?! Atje ku shërbejnë, mediat vazhdojnë me lajme të rreme…që Shqipërisë nuk ju hapën negociatat e Zoti e di kur do të ndodhë.

Ata u kanë besuar atyre e ndihen disi në faj. Sapo mbërritën në Tiranë e panë që jo vetëm ishin hapur, por edhe ata kishin meritë të madhe në këtë nafakë! Ah se kujtesa kur është e ngarkuar me gëzim të punon qindin e harron njeriu i gjorë të thotë gjithësa i vlon në mendje e gji. Ariu i çadrës se cirkut ishte mërzitur qamet se e paskëshim trajtuar si personazh negativ!

Lahemi me të veçse nëse i plotesojmë një të madhe dëshirë që ka shfaqur. Ariu do të bëhet drejtor i teatrit ‘Turbina’ meqenëse u be hazër nashi. Na ka argëtuar gjithë ato vite së bashku me mjeshtrin Tahir Baçova. Kush nuk na garanton se në pune kulture nuk do jetë më sqimatar?! Kur dje të shkrova se madhështinë e këtij suksesi mbaje krejt për vete e kisha një arsye.

Ja të ta rrëfej:

E keni quajtur kudo betejë për jetë a vdekje. E fituat ndaj s’ka arsye ta ndash lavdinë me Taulantin se ai është hamës i madh në të mburrur. Pastaj ti ja tepër zemërgjerë dhe e ndan… po jo të pamunduarve. Unë si axhami në punët e politikes se madhe them ta ndash me Klotilda Ferhatin. Nje nate ne “real story” nuk me la te flisja për 50 minuta s’më kishte bërë vaki… Edi Rama kështu e ashtu thoshte pa ndërprerje…dhe i besonte të gjitha e …nuk i kishte sa për të larë gojën në ekran.

Në fakt këtë ditë të diel meqenëse është vakt dreke dhe mendja udhëton drejt aromave të ushqimit thashë të bëj ndonjë sygjerim për ziafetin që duhet shtruar në sheshin ‘Skënderbej’.

Personalisht them se qoftja duhet të dominojë peizazhin. Mund të bëhet edhe një konkurs për qoften më të gjatë e cila i duhet dhuruar ambasadoreshës Romana Vlahutin për mundin që ka hequr dhe ndihmën që na ka dhënë në proces. Qoftet mund të jenë me mish viçi, derri, dhie etj. Bulçinjet e qytetarëve duhet të punojnë si turbina hidrocentrali ku zukama kërrc-kërrc duhet të jetë kaq virtuoze si himn kombëtar gati-gati.

Në tavolinat e mesit duhet të ndrijnë nga pjekja e mirë në hell cjepër, deshër dhe mzetër. Pija në këtë vapë mbase mirë është të jetë birrë. Një bot me birrë ku zorrën mund ta mbajë Auron Tare dhe tu mbushë sapllakët shqiptarëve çakërrqejf. Ndonjë petull me mjaltë për fëmijët s’do të qe keq. Ato mund ti bëjë Mimi Kodheli poshtë kalit të ‘Skënderbeut’. Sallami e proshuta alla-italiana meqenëse u integruam duhet të jetë prezentë.

Blij dy përparëse të mira ose mund ti sjell unë nga Italia së bashku me kapuçin e kokës për Arben Ahmetajn e Damianin. Ata duhet të heqin pak keq dhe të presin gjithë ditën copë pas cope.

Kujdes me ata deputetët e LSI-s po i ftuat se kanë dorë. Brahimllarit i bëhet syri çakërr kur sheh copa proshute. Ti merr e bëhet erë…hajde bëj derman pastaj. Opozita nuk është gëzuar shumë për këtë sukses, por do i ftosh s’ke ç’ben!

Por kujdes se të sabotojnë. Cakto Elisa Spiropalin ti monitorojë e sidomos Salianjin madje nëse e sheh pisk le ti heqë edhe ndonjë pëllëmbe tek e fundit. Në fakt edhe pak byrek duhet! Kujt ti themi??? Mirela Kumbaro e qan. Lere mos e nga asaj kërkoja si nder. Aaa për Gramozin një gote raki ballë kazani… mos e bezdis me birrë.

Presidenti nuk të vjen po si dhe garanci që vete Ylli Baka që të këndojë këngën Baftjar Baftjar…! Me Berishën mos harxho kot ftesë…nuk të vjen. Ai insiston që negociatat nuk janë hapur e as hapen. Lëre se të dh… festen. Lulit thuaj njëherë se po nuk erdhi vetë, Aldon ta çon me siguri.

Muzikë patjetër.

Grupet të fshihen në pyjet rreth e rreth sheshit e ta dalin me rend herë njëri, herë tjetri. Kafet dhe likuorët në fund lërja Besnik Bares. Fjalim mos mbaj se hapja e negociatave flet vetë.

Artistët mo ti shoh aty se më thyen zemrën. Ty të lodhën, mua me zhgënjyen, por pa çadër mos i lër … helbete u duhet një vend për muhabet. Festen për teatrin e bëjmë një herë tjetër. Na zu të papërgatitur gjithë ku gëzim. Nëse kam harruar ndonjë gjë të shkruaj prapë.

Ejvallah e me të mira.