Detyrimet e prapambetura, Financat: Shteti ka krijuar 33.3 mln € borxhe

Pavarësisht nga strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, përcaktuar në VKM “Për miratimin e Strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, qeveria vijon të krijojë detyrime të reja si rezultat i pagesave të vonuara.

Në total, sipas statistikave të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shifra që shteti u detyrohet privatëve ka arritur në 4.2 miliardë lekë, afërsisht 33.3 milionë euro borxhe.

Ja si qendron situata e detyrimeve sipas institucioneve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raporton se detyrimet e krijuara për periudhën nga 1 janar 2018 – 31 mars 2018 janë në vlerën 535.2 milionë lekë si 3-mujor, por kanë arritur në një total prej 1.46 miliardë lekësh, kryesisht referuar detyrimeve të Autoritetit Rrugor dhe Ujësjellës Kanalizimeve. Kështu, sipas sektorëve, janë krijuar këto borxhe: Mirëmbajtje rrugore – 305.1 milion lekë borxhe të reja (883.1 milionë lekë progresiv); Studim dhe Projektim – 55.7 milionë lekë gjithsej; Vendime Gjyqësore – 194.7 milionë lekë (304.7 milionë lekë progresiv); Detyrime të ndërmarrjeve Ujësjellës-Kanalizime – 27.7 milionë lekë (201.3 milionë lekë progresiv). MIE në 3-mujorin e parë të 2018-ës ka paguar 499.7 milionë lekë detyrime të trashëguara për kontratat e mirëmbajtjes së rrugeve.


Ministria e Mbrojtjes, nga ana e saj, raporton 302.8 milionë lekë detyrime të akumuluara. Ndërkohë, kjo ministri referon se nuk ka detyrime të krijuara për 3-mujorin 2018, por, si pasojë e ristrukturimit të qeverisë, trashëgoi detyrimet e programeve “Rezervat e Shtetit” dhe “Emergjencat Civile” nga Ministria e Brendshme.


Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë raporton që detyrimet e krijuara për periudhën Janar 2017 – Mars 2018 janë në vlerën 23.4 milionë lekë. Në total, MASR ka 101.1 milionë lekë detyrime të akumuluara.


Ministria e Drejtësisë – Totali i detyrimeve të prapambetura për periudhën Janar 2017 – Mars 2018 raportohet në vlerën 76.6 milionë lekë. Totali i detyrimeve të prapambetura për MD është në vlerën 360.2 milionë lekë. Pjesa më e madhe e detyrimeve i referohen kryesisht zërit të “Vendimeve gjyqësore në favor të ish-pronarëve” të Agjencisë së Trajtimit të Pronave ATP.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për periudhën Janar 2017 – Mars 2018 raporton se detyrimet për vendime gjyqësore për punonjës të larguar nga puna janë grumbulluar në vlerën 33.2 milionë lekë. Totali i detyrimeve të akumuluara nga MSHMS është 171.9 milionë lekë. Gjatë 3-mujorit të parë të 2018-ës janë paguar 40.4 milionë lekë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, të cilat janë të gjitha detyrime për vendime gjyqësore.
Ministria e Brendshme – Detyrimet e reja të krijuara në 3–mujorin e parë të vitit 2018 janë në vlerën 74.6 milionë lekë. Stoku i detyrimeve për periudhën Janar 2016 – Mars 2018 është në vlerën 710.3 milionë lekë, të cilat u dedikohen kryesisht: 372.9 milionë lekë detyrime të mbartura për ish-punonjësit e larguar të aparatit të MPB, dhe INUK; 202 milionë lekë detyrime të “Gjendjes civile” për shpërblimin e munguar të lindjeve.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka krijuar detyrime për këtë 3-mujor, megjithatë në total ka të akumuluara 396.5 milionë lekë, ku 330 milionë u dedikohen detyrimeve për vendime gjyqësore. Për 3-mujorin 2018 MBZHR ka paguar 20.2 milionë lekë detyrime të trashëguara nga periudhat e kaluara.
Ministria e Financave për periudhën 1 janar 2018– 31 mars 2018 ka 87.9 milionë lekë detyrime të prapambetura të krijuara rishtazi. Në total, stoku i detyrimeve të akumuluara për periudhën Janar 2016 – Mars 2018 është 193.6 milionë lekë për vendime gjyqësore. Në buxhetin e saj të miratuar për vitin 2018 është planifikuar shlyerja e 102 milionë lekëve.
Ministria e Kulturës raporton që detyrimet për periudhën 1 janar 2018 – 31 mars 2018 janë në vlerën 35.1 milionë lekë, kryesisht vendime gjyqësore të formës së prerë. Stoku i detyrimeve nga Janari 2016 deri në Mars 2018 është 36.5 milionë lekë.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – Stoku i detyrimeve për periudhën Janar 2016 – Mars 2018 raportohet në vlerën 259 milionë lekë. Shuma e këtyre detyrimeve, e cila rrjedh tërësisht nga vendime gjyqësore, do të bëhet objekt i shlyerjes në muajt në vijim, si pjesë e planit të saj të buxhetit gjatë 2018-2019.
Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve – Në total, për periudhën Janar 2016 – Mars 2018 DPT ka akumuluar 195.3 milionë lekë detyrime të prapambetura për vendime gjyqësore lidhur me rimbursimin e TVSH-së. Gjatë 3-mujorit të parë të 2018-ës, DPT ka paguar 42 milionë lekë detyrime për vendimet gjyqësore.